Në shumë raste, pajisjet antizjarr figurojnë vetëm formalisht, ndërkohë që të dhënat zyrtare tregojnë se një kohë të gjatë nuk ka pasur inspektim nga inspektorët kompetentë për këtë çështje, pasi mungon inspektori që bën kontrollin për sigurinë e objekteve kundër zjarrit
Vjollca SADIKU
Dibër, 17 tetor – Mbrojtja nga zjarret në hapësira dhe objekte ka një domethënie të madhe në mbrojtjen e pasurisë, por edhe në sigurinë e jetës së popullatës. Të dhënat e viteve të fundit theksojnë se Njësia Antizjarr në Dibër me sukses po realizon obligimet e saj në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Por, duhet theksuar faktin se pajisjet për mbrojtje nga zjarri nëpër institucionet, kompanitë, firmat dhe ndërtesat kolektive për banim jo gjithmonë janë të pranishme në vendet ku duhet të jenë të përcaktuara me ligj, ose edhe mungojnë tërësisht. Pikërisht ky shqetësim vërehet nga ana e qytetarëve.
Në bisedën që patëm me Komisarin e njësisë territoriale antizjarr në Dibër, Xhetan Miftaroski, ai thotë se kompetencat për evidentimin dhe kontrollimin të pajisjeve për mbrojtje nga zjarri në institucione, kompani, firma dhe banesa kolektive janë nën ingerenca të Inspektoratit të Drejtorisë për shpëtim dhe krizë. Sipas nevojave, thotë ai, ne intervenojmë kur ka nevojë për të shuar zjarret. “Njësia e jonë ka mundësi dhe kushte për t’u ballafaquar me zjarret edhe në objekte të këtilla ku nuk ka pajisje antizjarr”, tregon Miftaroski, megjithëse shton se njësia që drejton ai nuk mund të merret edhe me mungesën e pajisjeve në ndërtesa kolektive apo biznese të shumta, të cilët ligjërisht duhet të jenë të pajisura me bombola antizjarr. Megjithëse disa biznese kanë pajisje antizjarr, të njëjtat nuk funksionojnë siç duhet dhe në pajtim me ligjin. Në shumë raste, pajisjet antizjarr figurojnë vetëm formalisht. Të dhënat zyrtare tregojnë se një kohë të gjatë nuk ka pasur as inspektim nga inspektorët kompetentë për këtë çështje, pasi mungon inspektori që bën kontrollin për sigurinë e objekteve kundër zjarrit.
Edhe në pjesën dërmuese të ndërtesave kolektive mungojnë pajisjet për shuarjen e zjarreve. Bëhet fjalë për banesa shumëkatëshe ku paraqitja e zjarreve mund të jetë prezente, por dukshëm mungojnë masat e sigurisë kundër zjarrit. Në bisedën me banorët e këtyre banesave, u informuam se problemet i shkaktojnë vet banorët, respektivisht një pjesë e tyre meqë shpeshherë ka raste që edhe vihen pajisjet, megjithatë të njëjtat dëmtohen apo vidhen dhe shiten për pak mjete financiare. Sidomos kjo dukuri është në banesat që janë ndërtuar që në kohën e monizmit. Në banesat të tjera ku pronarët janë individë të cilët kanë investuar në to, situata është krejt ndryshe. (koha.mk)