Qyteti ku do të mbahet kuvendi republikan e bën të detyrueshëm përdorimin e maskave

22

Xheksonvilli, qyteti ku do të mbahet Kuvendi i Republikanëve për emërimin e Presidentit si kandidat për një mandat të dytë, të hënën nxori një urdhër duke e bërë të detyrueshëm përdorimin e maskave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Megjithatë, zyrtarët e qytetit thanë se ishte shumë shpejt të dihej nëse urdhri do të jetë në fuqi më 24-27 gusht kur mijëra republikanë do të mblidhen për kuvendin e partisë së tyre, ku Presidenti Trump pritet të mbaj fjalimin e tij të pranimit të emërimit.

Urdhri shënoi një kthesë për kryebashkiakun Lenny Curry, ish-kryetar i republikanëve të shtetit të Floridës, i cili ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj vendosjes së një urdhri për ta bërë të detyrueshëm përdorimin e maskës mbi baza ideologjike, megjithëse ai ka thënë se përdorimi i maskave është një “veprim përgjegjës”.

News4Jax, një kanal televiziv në Xheksonvill, një javë më parë citoi zotin Curry duke thënë se: “Veshja e maskës nuk është një deklaratë politike. Ka të bëjë me mbrojtjen e vetvetes, të dashurve dhe të fqinjëve tuaj.”

Vendimi i qytetit të Xheksonvillit për përdorimin e detyrueshëm të maskave erdhi ndërsa numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit u rrit në Florida, për të cilin guvernatori republikan Ron DeSantis ka fajësuar grumbullimin e të rinjve pa maska në lokale dhe qendra të tjera sociale, duke injoruar rekomandimet e ekspertëve të shëndetësisë për distancim fizik.

Presidenti Trump ka mbështetur me hezitim idenë e përdorimit të maskave, duke thënë se kjo nuk është diçka që ai do ta bënte. Presidenti Trump kohët e fundit tha se ai nuk dëshironte t’i jepte gazetarëve kënaqësinë që ta shihnin atë me maskë.

Megjithatë, zëdhënësja e tij, Kayleigh McEnany, tha të hënën se Presidenti Trump nuk ka “asnjë problem” me njerëzit që i përdorin ato.

Zëdhënësja McEnany tha se Presidenti Trump beson se kjo “është një zgjedhje personale”, megjithëse zyrtarët e qeverisë amerikane i inkurajojnë njerëzit të veshin maska, veçanërisht brenda ndërtesave dhe në ambientet jashtë ndërtesave ku nuk mund të distancohen fizikisht nga të tjerët.

Ajo tha se Presidenti Trump “do t’i inkurajonte” amerikanët që të ndjekin rekomandimet e Qendrave Federale për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe zyrtarët lokalë në të gjithë vendin për të marrë masa sigurie për të mbrojtur veten e tyre dhe për të frenuar përhapjen e virusit.

Comments are closed.