Shkup, 5 dhjetor – Me automjetin special karrotrec, gjatë javës së kaluar, nga 28 nëntori deri me 4 dhjetor të vitit 2019, nga hapësirat publike në Shkup, janë larguar 322 automjete.
Sipas komunikatës së Qytetit të Shkupit, nga numri i përgjithshëm i veturave të parkuar në mënyrë jo të rregullt dhe veturave të larguar, 45 janë ngritur nga parkingjet zonale dhe pjesa e mbetur prej 277 automjeteve është larguar me urdhër të policisë së trafikut, në bazë të kundërvajtjeve, parkimit në shtigje për çiklistë, në rrugë, trotuare, në hapësira të gjelbra dhe në vendet tjera jo të lejuara, gjegjësisht edhe me thirrje të personave të tretë.
Kontrollorët e parkingjeve zonale gjatë kësaj periudhe kanë gjobitur gjithsej 431 automjete, për shkak të parkimit jo të rregullt, gjegjësisht për mospagesë të shërbimit për parkim.
Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja Publike “Parkingjet e qytetit”, apelojnë deri te qytetarët të kujdesen për hapësirat e gjelbra dhe hapësirat tjera publike. Ndërkohë, ata thonë që qytetarët automjetet e tyre t’i parkojnë në vendparkingjet e shënuara.
“Apelojmë deri të të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve për parking që në kohë ta rregullojnë pagesën e shërbimit për parkim, me qëllim të mos gjobiten dhe mos t’ju vendoset bllokator në rrota. Pagesa e shërbimeve për parkim mund të realizohet përmes SMS porosive apo me kartela gërvishtëse”, thonë nga Qyteti i Shkupit.