Qyteti i Shkupit të martën e javës së ardhshme do të shpallë thirrje publike për subvencionim të amvisërive dhe të subjekteve tjera në rajonin e Qytetit të Shkupit për pastrimin e oxhaqeve për vitin 2021. Risi në këtë thirrje është mundësia që qytetarët të aplikojnë onlajn, shkruan gazeta KOHA.
Nga Qyteti informojnë se me këtë thirrje do të kompensohen edhe një pjesë e shpenzimeve të amvisërive dhe të subjekteve tjera për pastrimin e oxhaqeve, në neto vlerë më së shumti deri në 1.200 denarë, ndërsa në thirrjen publike mund të marrin pjesë persona fizik dhe juridik, vendbanimi i të cilëve, gjegjësisht selia është në rajonin e Qytetit të Shkupit.
“Subvencionet do të vlejnë edhe për oxhaqe të pastruara nga 1 janari i vitit 2021, ndërsa thirrja publike e cila do të realizohet sipas parimit “kush vjen i pari, shërbehet i pari” do të jetë e hapur deri më 30 nëntor të vitit 2021 ose deri në realizimin e mjeteve në vlerë prej 1 milion denarë të parashikuara për këtë qëllim me Buxhetin e Qytetit të Shkupit për vitin 2021″, citohet në kumtesën e Qytetit.
Sipas Qytetit të Shkupit, pastrimi i oxhaqeve kontribuon për zvogëlimin e aerondotjes gjatë sezonit ngrohës. Dihet se rreziku nga oxhaqet e papastruara është i madh. Jo vetëm që ndotja dhe emisioni i grimcave PM10 është i madh, por rrezikohet edhe siguria e shfrytëzuesve nëse nuk bëhet pastrimi i rregullt.
Qyteti i Shkupit këtë masë e ka realizuar edhe në vitin 2018, 2019 dhe 2020, kur ishin ndarë rreth 1000 subvencione.