Shkup, 7 prill – Këshilli i Qytetit të Shkupit solli Vendim për ndryshim dhe plotësim të taksave komunale në Qytetin e Shkupit duke filluar prej 1 janarit të vitit 2020. Qëllimi, siç bëri të ditur Qyteti i Shkupit, është që t’iu ndihmohet kompanive që t’i tejkalojnë rreziqet e shkaktuara nga virusi korona.
“Me ndryshimet dhe plotësimet bëhet ndryshim në Numrin tarifor 1 të Vendimit, gjegjësisht, bëhet ulje e taksës komunale për firma, si lehtësim shtesë të situatës financiare të tatimpaguesve të cilët kryejnë veprimtari në territorin e 10 komunave të Shkupit”, thuhet në kumtesë.
Autoritetet e qytetit i njoftojnë të gjithë tatimpaguesit të cilët ende nuk ka bërë pagesa të obligimeve në bazë të taksës komunale për vitin 2020 për shkak të bazave të theksuara më poshtë, se duhet t’i paguajnë sipas vendimeve të marra, por me vlerë të ulur.
Për hapësirat afariste të personave fizikë të cilët kryejnë veprimtari vlera është 1.300, ndërsa për hapësirat afariste të personave fizikë të cilët kryejnë veprimtari, ndërsa tatimin e paguajnë në vlerë paushalli duhet të paguhet 350 denarë. Për hapësirat afariste të shoqatave tregtare dhe personave të tjerë juridikë nga sfera e prodhimtarisë, qarkullimit dhe shërbimeve vlera është 4.000 denarë.
Për shitore, kiosqe, njësi afariste dhe të ngjashme të shoqatave tregtare dhe persona të tjerë juridikë nga sfera e prodhimtarisë, qarkullimit dhe shërbimeve vlera është 2.000 denarë. Për hapësira afariste të personave juridikë nga veprimtaritë komunale dhe për hapësira afariste të shoqatave tregtare dhe persona të tjerë juridikë, si dhe e pikave blerëse që veprojnë përkohësisht gjithashtu është paraparë vlerë prej 2.000 denarë.
“Në lidhje me ata tatimpaguesit që kanë bërë tashmë pagesa me shumën e plotë të specifikuar në vendim, sugjerojmë që shuma e paguar që tejkalon çmimin e krijuar rishtazi për firmën të transferohet për vitin e ardhshëm ose pas gjendjes së jashtëzakonshme, me kërkesë të tatimpaguesit do të kthehen mjetet”, bëhet e ditur në kumtesë.
Qyteti i Shkupit thekson se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, nuk do të veprohet sa i përket vërejtjeve të cilat janë dorëzuar deri te tatimpaguesit e tatimit të pronës dhe deri te tatimpaguesit e taksës komunale dhe nuk do të bëhet pagesë e dhunshme e borxheve të mbetura të papaguara.