Shkup, 21 mars – Qyteti i Shkupit sot i ka bërë thirrje komunës së Sarajit që të veprojë në pajtim me kompetencat ligjore lidhur me platformat joligjore në Matkë.
“Qyteti i Shkupit e inkurajon komunën e Sarajit që të veprojë në pajtim me kompetencat e veta ligjore kur janë ndërtimet joligjore në pyetje. Në të vërtetë, nuk ka interes më të madh as për qytetarët e Shkupit, as për qytetarët e Sarajit sesa sundimi i së drejtës, barazia para ligjeve dhe funksionimi i tërësishëm i institucioneve”, deklaroi zëdhënsëi i Qytetit të Shkupit, Valon Saliu.
Ai tha se vitin e kaluar Qyteti së bashku me UNDP-në dhe Ministrinë e Mjedisit të Jetesës dhe Planifikimit Hapësinor kanë përpunuar modele ligjore, me të cilat do të mbrohet Matka në kuptimin ekologjik dhe ekonomik.
“Kjo zgjidhje do të mundësojë mbrojtjen e Matkës dhe menaxhimi i saj të mos varet nga kryetari i Qytetit të Shkupit ose kryetari i komunës së Sarajit, por nga respektimi i ligjit. Matka është potencial i jashtëzakonshëm për tërë qytetin, e posaçërisht për popullatën lokale të Sarajit”, tha Saliu.
Paraprakisht sot kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti deklaroi se komuna nuk do t’i legalizojë platformat joligjore në Matkë, por se nuk mund as t’i rrënojë, pasi kanë kërkesa për legalizim. (koha.mk)