Po rritet në drejtim të zhdrejtë veprimi politik dhe nevoja e qytetarëve për qytetet. Moszhvillimi i politikës, i vetë politikanëve, i ofertave politike do të sjellë vetëm zhgënjim. Kjo do të sjellë pasojë të madhe, jo vetëm nga vendimet e këqija për qytetet, që kush e di kur do të rregullohen e të marrin pamje moderne që përmbushin nevojat e kohës, por do t’i dëbojnë ato. Qytetet tona s’do kenë qytetarë
Nga Nazim RASHIDI
Prej ditësh kolegë gazetarë më flasin për zgjedhjet lokale dhe për procesin e vendosjes së kandidatëve brenda partive që do dalin në garat elektorale. Ka një fokus në drejtim të politikës rreth zgjedhjeve lokale, kryesisht rreth emrave, ndërkohë sa herë që diskutohet këto çështje mua më del përpara ajo pamja e betonizimit të tokës rreth drunjve në një nga shëtiroret në Shkup.
Në fakt, ndonëse u tha se betoni ishte hequr dhe drunjtë ishi rrethuar sërish me tokë, për të marrë frymë lehtë, por edhe të zhvillohen, kjo pamje disi është sinonimi i qyteteve tona.
Beton, vend e pa vend. Drunj dhe hapësira publike që dhunohen, papastërti dhe rrëmujë totale.
Po a janë këto qytet që duam?
Nuk ka nevojë t’ju them, hidhni një sy qyteteve tona, sepse edhe vetë e dini se çfarë kaosi ekziston. Mes mungesës së rendit, veprimit të institucioneve dhe mendësisë kolektive, qytetet tona jo të gjitha meritojnë të quhen të tilla.
Qytet, si shpjegim nënkupton civilizim, prandaj dhe në anglisht kemi fjalën “city”. Që vjen nga fjala latine “civitas” që një nga kuptimet ka “pjesëtar i komunitetit”. Kjo nënkupton pra se njerëzit që jetojnë në një territor që është i përcaktur me kufijtë e tij kanë sisteme banimi, transporti, ekonomie, shkollimi. E gjitha kjo do të thotë një komunikim mes njerëzve, por edhe mes autoriteteve dhe bizneseve që do të duhet të krijojnë shërbime të cilat do të jenë në të mirën e të gjithëve dhe qytetarëve.
E gjitha e thënë në këtë mënyrë e shpjeguar duket në rregull, deri sa nuk i sheh qytetet tona. Tek të cilat, autoritetet vështirë se vënë rend, shërbimet janë pjesërisht funksionale, interesat personale, politike apo të bizneseve mbisundojnë veprimet dhe vështirë kemi situata ku interesi qytetar është i pari.
Dhe kur flasim për emra dhe zgjedhje lokale, në fakt do të duhet të flasim për më shumë. Përtej emrave, ajo që duan qytetarët është vizioni se çfarë qytetesh do të ndërtohen? A ka vizione afatgjate për zhvillimin e zonave urbane, rurale? A mendon dikush se vendimet që merren sot po lënë pasoja për vite të tëra e të cilat vështirë se mund të riparohen?
Fokusi ndaj emrave më duket një nder i madh që u bëhet subjekteve politike, të gjithave pa përjashtim, sepse çështje të tjera janë esenciale. Individët si kryetarë komunash kanë peshën e vetë, sepse nëse do jenë në krye, qytetarët do të duhet të dinë nëse janë të zotë. Por të zotë për çfarë? S’na i kanë thënë ofertat. Aq më shumë që një individ nuk bën dot asgjë vetë. Prandaj parësore janë vizionet, ofertat, për atë se çfarë qytetesh duam?
Emrate kandidatëve për kryetarë komunash edhe dihen disi. Ata që janë në pushtet me gjasë të madhe do kërkojnë mandat të ri, kundërshtarët përfolin më shumë emra, disa parti konfirmuan një pjesë të emrave, ndërkohë konstante prej vitesh mbeten problemet.
E kur jemi tek problemet, fokusi shpërqëndrohet. Është më e lehtë kakofonia me emrat, se sa shpalosja e vizioneve. Për këto vizione duhen ekipe, partitë janë ekipe njerëzish me ideale të caktuara, por çfarë na kanë ofruar deri më tani?
Asgjë!
Mund të thonë subjektet se është herët për këto shpalosje idesh e vizionesh, por në fakt nuk është ashtu. Do të doja të suprizohesha, por vështirë.
Por ajo që duan qytetarët është zhvillim, rregull, pastërti, qytetet të mbushen me qytetari. Për gjithë këto duhen planifikime. Termi teknik është planifikim urban, që nënkupton një proces teknik e politik që ka për qëllim zhvillimin dhe dizanjimin e hapësirave, ndërtimeve, kujdesit ndaj ajrit të pastër, ujit dhe gjithë infrastrukturës tjetër nga transporti e deri tek komunikimet e qytetarëve. Kaq kompleks dhe vështirë është menaxhimi i qyteti e ku më ndërtimi i një vizioni afatgjatë për to. As planifikim urban nuk ka, as planifikues urban s’ka pranë zyrtarëve të qyteteve tona, e si rrjedhojë nuk shohim vizione, oferta se si mund të duken e zhvillohen qytetet tona.
Planifikimet qyteteve nuk janë ndonjë shpikje e re, ato janë bërë me shekuj, por dallimi ka qenë se vërte është dashur zhvillimi e si rrjedhojë janë dhënë vizione afatgjate, madje dhe qindra vjeçare për qytetet. Tek ne në prag të zgjedhjeve s’ka oferta, mbase me përjashtime të vogla nga qyteti i Shkupit, se çfarë do të bëhet as katër vitet e ardhshme.
Pa diskutim që në këto rrethana faji s’është veç tek partitë e figurat e tyre, por edhe tek qytetarët. Shoqëritë urbane nënkuptojnë edhe angazhimin më të madh të vetë njerëzve. Sa do që të jenë të ndarë, në vija sociale e etnike, sërish i bashkon nevoja për shërbime dhe funksionalitet të qyteteve. Jo rastësisht vjen dhe rritja e kërkesave për çështje urbane. Subjektet politike mund të jenë mësuar në terrenet e politikës më të përgjithshme, ku çështjet etnike, ato të të drejtave kanë dominuar debatin, por tashmë me rritjen e numrit të administratës dhe rritjes së shtresës së mesme, po rriten dhe kërkesat që qytetet të bëhen më qytete. Kjo është arsyeja se pse fokusi duhet të jetë tek ofertat se si do duken qytetet. Ne këto vizione ende si dimë. E ç’na duhen veç emrat? Pastaj ku janë emrat e ekipeve të kryetarëve të komunave? Me çfarë punëtorësh do ndërtojnë ata qytetet? Vetëm kjo situatë kështu nuk sjell shumë shpresë. E ndërkohë po rritet në drejtim të zhdrejtë veprimi politik dhe nevoja e qytetarëve për qytetet. Moszhvillimi i politikës, i vetë politikanëve, i ofertave politike do të sjellë vetëm zhgënjim. Kjo do të sjellë pasojë të madhe, jo vetëm nga vendimet e këqija për qytetet, që kush e di kur do të rregullohen e të marrin pamje moderne që përmbushin nevojat e kohës, por do t’i dëbojnë ato. Qytetet tona s’do kenë qytetarë. Sa më shumë mungesë rregulli aq më pak jetë në qytete. Qytetarët do marrin epitete “qytetar”, por se do jetojnë në qytete të huaja, të cilat janë ëndrra e tyre. Prandaj bashkë me emrat e kandidatëve, duhen atashuar programet dhe vizionet e tyre. Nuk mjafton më pyetja kush do jetë kryetari ose kryetarja, por çfarë kanë bërë deri më tani, çfarë do bëjnë më pas? Kështu arrihet qytetaria dhe qyteti që duam!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)