Shkup, 1 tetor – Qytetarët të cilët dje dolën në referendum dhe dhanë mbështetje për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO përmes Marrëveshjes me Greqinë, u japin legjitimitet të plotë institucioneve që të vazhdojnë me implementimin e detyrimeve të cilat dalin nga Marrëveshja. Kuvendi prej sot e ndërmerr obligimin rreth gjithë këtij procesi, ndërsa vendimi është mbipartiak dhe diçka që është në interes të gjithë qytetarëve të vendit. Këtë e porositi sot në pres-konferencë në Qeveri zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.
“Kishim referendum konsultativ si instrument që të përcaktohet vullneti politik i qytetarëve. Ai instrument reflektohet përmes numrit të votave, të cilat janë marr nga votuesit – 661 mijë votuan, ndërsa 606 mijë “për” dhe ky numër u jep legjitimitet të plotë institucioneve që të vazhdojnë me implementimin e detyrimeve nga kjo marrëveshje ndërkombëtare. Kemi legjitimitetin e plotë që institucionet prej sot të vazhdojnë me implementimin e marrëveshjes”, tha Osmani. Sipas tij, çështja e cenzusit nuk ka të bëjë me çështjen e referendumit. Theksoi se Maqedonia kishte probleme me cenzusin edhe më parë dhe i përmendi zgjedhjet presidenciale, duke theksuar se atëherë cenzusi ishte dashur që të bie në 40 për qind.
“Me vullnetin e shprehur të shumicës për Maqedoni Evropiane deputetët në Republikën e Maqedonisë nuk kanë opsion tjetër, përveç që t’i ndjekin votat e shumicës me qëllim që shteti ta përshpejtojë anëtarësimin në NATO dhe BE”, tha Shekerinska. Ajo theksoi se të gjitha partitë politike duhet të bashkohen dhe të punojnë në këtë qëllim të përbashkët dhe shtoi se është me rëndësi të madhe që të lihen interesat individuale dhe partiake dhe në fokus të vendoset interesi i përbashkët.
“Kjo është koha kur Maqedonisë i nevojitet uniteti. Nga njëra anë është Maqedonia në BE dhe NATO, nga ana tjetër është izolimi dhe pasiguria e atdheut tonë”, tha Shekerinska dhe shtoi se mjeti tjetër i mbetur janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare edhe atë menjëherë. Ajo theksoi se gjatë kësaj jave do të mbahen takime me të gjithë faktorët politik me qëllim që të bëhet vlerësim se a ekziston mundësia për sigurimin e shumicës prej dy të tretave.