Tiranë, 21 janar – Ministria shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë të ditur se më datë 20 janar të vitit 2021 ka hyrë në fuqi marrëveshja ndryshuese ndërmjet Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve përkatës.
Kjo marrëveshje i jep mundësinë qytetarëve shqiptarë të udhëtojnë drejt shtetit serb vetëm me letërnjoftim biometrik si mjet identifikimi.
Për të gjithë qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Serbisë do të cilësohen si të vlefshme këto dokumente: pasaportë, pasaportë diplomatike, pasaportë shërbimi, dokument udhëtimi për hyrje (kthim) në Republikën e Shqipërisë, letërnjoftim biometrik.
Ndërsa për shtetasit serbë që do të kalojnë kufirin shqiptar do të cilësohen të vlefshme këto dokumente: pasaportë, pasaportë diplomatike, pasaportë shërbimi, leje kalimi, letërnjoftim biometrik.
Sipas MEPJ, Serbia është vendi i pestë tashmë që e ofron këtë mundësi së bashku me Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën.