Shkup, 23 gusht – Qytetarët janë të ndarë lidhur me njohurinë e tyre me punën e Parlamentit, tregojnë rezultatet nga anketa në terren për perceptimet e qytetarëve për punën e Parlamentit për periudhën qershor 2018 – prill 2019, të zbatuar nga Instituti për demokraci “Societas Civilis” (IDSCS) në periudhën 12-16 maj të këtij viti në 1.000 të anketuar.
Siç theksoi në takimin e së premtes me gazetarë Vlora Reçica, menaxhere projektuese në IDSCS, pothuaj gjysma ose 49 për qind nga të anketuarit janë prononcuar se pjesërisht ose tërësisht janë të njoftuara me punën e Parlamentit, ndërsa 50 për qind janë përgjigjur se pak ose aspak nuk janë të njoftuar me punën e tij.
“Nga temat të cilat janë diskutuar, qytetarët më së shumti janë njoftuar me ndryshimet kushtetuese dhe me diskutimin për Marrëveshjen e Prespës, ndërsa më së paku me debatet të cilat kanë ndodhur në Parlament në periudhën e caktuar. Në pyetjen nëse vlerësojnë se Kuvendi është i hapur, për fat të keq, vetëm një e treta nga të anketuarit vlerëson se Kuvendi është i hapur për opinionin. Vlerësimi, ndërkaq, të cilin Instituti çdo vit e jep për Kuvendin, e i cili del nga perceptimet e qytetarëve nga shkalla prej 1 deri 5, ku 5 është më së miri, këtë vit është 2,9, që është rritje nga viti 2018”, thotë Reçica.
Me këtë rast, shton, pothuaj dy të tretat ose 59 për qind nga të anketuarit janë përgjigjur se më së shpeshti informohen përmes televizionit, 15 për qind informohen nga interneti përmes mediumeve sociale, nëntë për qind informatat i marrin përmes internet portaleve për lajme, vetëm tre për qind janë përgjigjur se informatat i marrin nga Kanali i Parlamentit, ndërsa asnjë nuk informohet nga ueb faqja e Parlamentit. Nga të anketuarit nëntë për qind janë përgjigjur se nuk dëshirojnë të informohen për punën e Parlamentit, respektivisht se nuk u intereson.
Perceptimi i qytetarëve është edhe, thotë Reçica, se deputetët çdoherë i përfaqësojnë interesat personale, partiake ose të biznesit në miratimin e ligjeve. Në të vërtetë, mbi të dy të tretat (72%) nga të anketuarit vlerësojnë se deputetët në Kuvend çdoherë i përfaqësojnë interesat e partive politike dhe interesave të tyre personale (78%). Pothuaj gjysma e të anketuarve (46%) vlerësojnë se deputetët asnjëherë nuk i përfaqësojnë interesat e qytetarëve.
Nga të anketuarit, 62 për qind vlerësojnë se Qeveria ka kontroll ndaj Kuvendit, 17 për qind se Kuvendi ka kontroll ndaj Qeverisë (Siç është paraparë sipas Kushtetutës), ndërsa 20 për qind nga të anketuarit nuk kanë mendim lidhur me këtë çështje.
Raporti për cilësinë e debatit, megjithatë, hulumtim të cilin Instituti e zbaton nga viti 2014, tregon se në gjysmën e parë të vitit, Kuvendi e merr notën 6, në shkallën prej 1 deri 10, që për fat të keq, thotë Reçica, është vetëm notë kaluese që ta kalojë promovimin dhe tregon se debati ende është në nivel të ulët.
Rekomandohet që gjatë periudhës së ardhshme të punohet në informimin e qytetarëve për punën e Kuvendit, ku mediumet thonë, kanë rol shumë të rëndësishëm, pasi 59 për qind prej tyre informohen përmes televizionit. Për diskutim më të argumentuar në Parlament, thuhet, nevojitet që në të ardhmen të punohet me deputetët në shkathtësitë e tyre retorike, që varet nga vullneti i tyre, ndërsa mediumet dhe shoqëria qytetare mund të ndihmojnë me sigurimin e të dhënave nga hulumtimet. (koha.mk)