Elitat politike në Shqipëri dhe Maqedoni duhet të luftojë kundër vetes, kurse BE duhet të krijojë një institucion mbikëqyrës dhe vendimmarrës në vënien në funksion te sistemit gjyqësor në Maqedoni
Fatos RUSHITI
Shkup, 29 qershor – Reforma në Gjyqësor ishte nyja kryesore e rekomandimit të kushtëzuar të Këshillit të Bashkimit Evropian për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Qeveritë e të dyja vendeve proklamojnë se ishte pozitiv ky rekomandim, shkruan gazeta KOHA.
Nga ana tjetër analistë politik dhe ekspert juridik mendojë të kundërtën. Alajdin Demiri flet me tone negative ndaj qeveritarëve në Shqipëri dhe Maqedoni të cilët siç thotë ai nuk i kanë plotësuar deri më tani kushtet kryesore për të hapur negociatat me BE-në.
“Rekomandimi i fundit i Këshillit Evropian ishte mjaft i qartë dhe preciz duke vënë këto kushte, reformën në gjyqësor, të luftohet krimi dhe të luftohet korrupsioni. Kjo do të thotë së këto kushte nuk janë plotësuar. Elitave politike i jepet kohë 12 muaj që të veprojnë në këtë drejtim”, thotë Alajdin Demiri. Por nëse e analizojmë më thellë, shton ai, elitat politike në Shqipëri dhe Maqedoni duhet të luftojë kundër vetes. “Do të thotë se politikanët duhet të bëjnë gjykatën e pavarur e cila do të ndjek krimin dhe korrupsionin e po këtyre qeverive si dhe atyre të kaluara. Kjo është logjika politike që duhet ndjekur, rrugë tjetër nuk ka për në BE”, mendon Alajdin Demiri.
Elitat tona politike si zakonisht rekomandimin e cilësojnë si pozitiv ndërkohë që ai ishte negativ. “Qeveritaret tanë çka është më e keqja e lexojnë reformën në gjyqësi si nevojë të BE-së, e jo si nevojë tonë, prandaj kemi ngecje dhe pasiguri e mos besim të BE ndaj nesh”, thotë për KOHA, Alajdin Demiri.
Se Maqedonia ka problem themelor me zbatimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit e thotë dhe Profesori Universitar Bashkim Selmani. “Është shumë e arsyeshme që Maqedonia ka probleme themelore në funksionimin e shtetit dhe së drejtës kur ende shohim politikan të korruptuar, ndër ta edhe persona që dëgjonim në Bombat e Zaevit sa ishte në opozitë ndaj të cilëve tani heshtet dhe nuk procedohen raste në organet gjyqësore. Nuk mund ti hedhim aq lehtë hi syve të BE-së, nëse nuk ndërmarrim hapa serioz për të prangosur personat që lanë prapa Maqedoninë për shumë vite nge partitë që ishin në pushtet më herët”, thotë Bashkim Selmani. Sipas tij pa një pastrim dhe shkëputje të personave qofshin politikan e funksionarë qeveritar apo gjyqtarë që përdhosën të drejtën dhe gjyqësinë , nuk do ketë respektim të drejtave të qytetarëve dhe drejtësi kolektive për të gjithë. Qeveria duhet të merr hapa serioz drejt një gjyqësori të pavarur dhe të pastruar nga elementë korruptiv dhe kriminal. “Duke marrë parasysh faktin se ne kemi politikanë demagog dhe të padëgjueshëm, BE duhet të krijojë një institucion mbikëqyrës dhe vendimmarrës në vënien në funksion te sistemit gjyqësor në Maqedoni. Nëse nuk do ketë ndërhyrje urgjente në Maqedoni gjyqësori akoma edhe në vijim do jetë i prangosur nga faktorët devijues”, thotë Bashkim Selmani. Si tërësi morale dhe politike, shton ai, të gjithë duhet të kenë përgjegjësi, edhe qytetarët që siç thotë Bashkim Selmani, rrinë të strukur dhe të heshtur ndaj padrejtësive. “Kur të gjithë bëjnë sikur po punojnë dhe nuk veprojnë realisht dhe kur qytetarët nuk janë aktiv, atëherë padrejtësitë e ndryshme bëhen komoditet për keqbërësit”, thotë Bashkim Selmani. Ai flet për më të keqen, prolongimin e negociatave për anëtarësim, nëse individët nuk marrin përgjegjësi, dhe Qeveria nuk tregohet e prerë për të reformuar gjyqësorin.
“Deri në qershor qytetarët dhe ndërkombëtarët duhet të krijojnë besim se vërtetë është punuar, dhe vërtetë e kemi përgatitur veten për në BE, ndryshe BE si e ngarkuar që është me probleme të brendshme, përsëri mund të jetë në situatë të njëjtë të prolongojë negociatat për anëtarësim”, thotë Bashkim Selmani. (koha.mk)