Shkup, 31 tetor – Depozitat në bankat në Maqedoni janë të sigurta. Bankat janë likuide dhe stabile, ndërsa qytetarët të cilët i ruajnë paratë në shtëpi duhet t’i vendosin si depozita të kursimit sepse kështu do të realizojnë interes të caktuar për vete, ndërsa bankave do t’ju mundësojnë mjetet shtesë t’i plasojnë atje ku janë të nevojshme.
Kjo u porosit në shënimin e sotëm të Ditës Botërore të Kursimit – 31 tetori në Shoqatën e bankave pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë.
Qytetarët në bankat në Maqedoni ruajnë 222 miliardë denarë, ndërsa kompanitë 80 miliardë. Pesëdhjetë e një për qind e depozitave janë në denarë.
Guvernatori i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë Dimitar Bogov potencoi se kursimi ka rritje prej gjashtë për qind të bazës vjetor dhe se kjo është solide duke e pasur parasysh ambientin në të cilin është realizuar.
Konsideron se popullata e Maqedonisë ka potencial për shkallë më të larta të kursimit dhe shpreson se shkalla do të kthehet në atë që ishte para krizës.
E theksoi tenderin e kursimit të rritur në denarë dhe tha se pret që kjo të vazhdojë, si dhe besimi në valutën vendore.
Sipas ministrit të Financave, Dragan Tevdovski, kursimi është burimi më i lirë për financimin e ekonomisë vendore dhe i inkurajoi bankat t’i mbështesin kompanitë vendore në aktivitetet e tyre investuese.
“Kapitali nga jashtë vendit është më i shtrenjtë, më pak i qasshëm dhe shumë shpesh më pak stabil. Është mirë që me përfundimin e krizës ka rritje të depozitave prej rreth gjashtë për qind dhe pres në periudhën e ardhshme të realizohen shkallë më të larta të depozitave”, deklaroi Tevdovski.
Kosta Mitrovski, kryetar i Shoqatës së bankave theksoi se sistemi bankar realizon nivel më të lartë të stabilitetit dhe se kursimi merr vend qendror në punën e bankave.
Sipas tij, tradita e kursimit në Maqedoni ekziston dhe atë bankat duhet ta mbajnë me prodhime konkrete.
Dita botërore e kursimit në Maqedoni shënohet nga viti 1999, ndërsa është vendosur në vitin 1924 në Milano