Tërmeti me magnitudë prej 5 ballëve sipas Shkallës së Rihterit që pasdite në orën 13:18 e goditi rajonin e Ohrit, i shqetësoi qytetarët e Ohrit dhe turistët në qytet, të cilët dolën para shtëpive të veta dhe objekteve ku qëndrojnë. Në disa objekte janë vërejtur dëmtime dhe plasaritje më të vogla, ndërsa banorët e Ohrit dhe vendeve përreth ankohen nga aroma e squfurit.
Epiqendra e tërmetit ka qenë 10 kilometra në lindje të Ohrit, kumtoi Observatori sizmologjik në kuadër të Fakultetit matematiko-natyror në Shkup. Sipas të dhënave të deritanishme, tërmeti është ndjerë në rajonin epiqendror me intensitet prej VII-VIII ballëve sipas Shkallës makrosizmike evropiane. Me intensitete më të vogla, tërmeti është ndjerë në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe vendeve përreth.
Katërmbëdhjetë minuta pas këtij është regjistruar edhe një dridhje me magnitudë prej 3 ballëve sipas Rihterit. Dy tërmete janë ndjerë edhe herët në mëngjes në rajonin epiqendror të Ohrit. Epiqendrat edhe të këtyre tërmeteve kanë qenë 10 kilometra në Lindje të Ohrit. I pari është regjistruar në orën 3 e 9 minuta me Magnitudë të Rihterit prej 2,8 ndërsa është ndjerë në Ohër, Resnje dhe përreth me intensitet prej II-IV ballëve sipas Shkallës makrosizmike evropiane. I dyti ndodhi rreth orës 3 e 54 minuta me Magnitudë të Rihterit 3,7 dhe intensitet prej V ballëve sipas Shkallës makrosizmike evropiane.