Qefser ABDYLI
Shkup, 15 maj – Nga viti 2010, përqindja e atyre të cilët jetojnë në banesat e tyre në Bashkimit Evropian vazhdimisht ulet. Edhe pse ka dallime të pakrahasueshme me standardin, të ardhurat mujore dhe zhvillimi ekonomik mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë, ajo nuk manifestohet në mënyrë adekuate në pronësinë e pasurive të patundshme, gjegjësisht vendbanimit, shkruan gazeta KOHA. Pavarsisht nga ajo se qytetarët evropianë janë padyshim më të pasur nga qytetarët e Maqedonisë, shumë më e madhe është përqindja e qytetarëve të Maqedonisë, të cilët jetojnë në vendbanimet e tyre. Të dhënat e fundit të EUROSTAT-it tregojnë se në vitin 2015, 42 për qind nga qytetarët e Bashkimit Evropian kanë jetuar në banesa, ndërsa 57 për qind në shtëpi. Përqindje më e madhe e popullsisë të cilët kanë jetuar në banesa janë ata në Spanjë (66 për qind), Letoni (65 për qind) dhe Estoni (63 për qind), ndërsa në shtëpi kanë jetuar irlandezët (93 për qind), britanikët (84 për qind), kroatët (81 për qind) dhe belgët (77 për qind). Shtatë nga 10 qytetarë të BE-së apo rreth 69 për qind kanë jetuar në vendbanimet e tyre, 20 për qind kanë jetuar më qira, ndërsa pjesa tjetër prej 11 për qind si qiraxhinj me qira simbolike apo strehim falas në familje. Të dhënat e Entit Shtetëror Statistikor të Maqedonisë tregojnë se në vitin 2015, 83.2 për qind e popullsisë në vend kanë jetuar në shtëpi të vetme të shkëputura ose shtëpi gjysmë të shkëputur, ndërsa vetëm 16.6 për qind kanë jetuar në ndërtesa. Sipas të dhënave statistikore, deri 80 për qind e qytetarëve në Maqedoni jetojnë në shtëpitë e veta, që është trend i shumicës së vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Është vërejtur se në disa vende në fqinjësi – mund të vërehet se pas hyrjes në BE, ka rritje në numrin e qytetarëve që jetojnë me qira. Para disa vitesh, përcjell KOHA, bullgarët së bashku me rumunët ishin në krye të listës me mbi 90 për qind të banorëve të cilët kishin shtëpitë e tyre, tani ajo për qindje është rreth 84 për qind. Prirja e pafavorshme në Bullgari shpjegohet me atë se një numër i madh i qytetarëve i braktisin vendlindjet e tyre duke kërkuar punë më të mirë dhe ekzistencë. Në vendet e reja, ata në të shumtën e rasteve strehoen në banesa me qira. Të dhënat e EUROSTAT-it tregojnë se rritet numri i qytetarëve të cilët jetojnë në banesa të reja të blerë me kredi bankare. Migrimi është arsyeja dhe për rritjen e përqindjes të atyre të cilët kanë shtëpi nën hipotekë. Më shumë qytetarë, të cilët jetojnë me qira – ka në Sofje, ku dhe është rritur ndërtimi i banesave të reja. Pritet ky trend të vazhdojë dhe në vitet e ardhshme. Kjo nuk është karakteristikë vetëm për Bullgarinë, por vlen në përgjithësi për gjithë Evropën. Nga viti 2010, përqindja e atyre të cilët jetojnë në banesa të veta vazhdimisht bie. Për katër vitet e fundit, ky numër në nivel evropian është ulur për 0.6 për qind. Rekord në këtë ka arritur Gjermania, ku pothuajse gjysma e popullatës jeton me qira. Pothuajse 40 për qind e gjermanëve jetojnë me qira, ndërsa më pak se 10 për qind shfrytëzojnë përfitime në marrjën e banesave me qira dhe qira më të ulët. Në Holandë, Danimarkë dhe Suedi – përqindja e numrit të personave të cilët kanë blerë banesa sipas çmimeve në treg është mbi 30 për qind.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara