Bruksel, 17 qershor – Eurobarometri më i fundit kushtuar disponimit të qytetarëve të BE-së për vaksinim tregon rezultate inkurajuese përveç në kategori të caktuara, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Në fund të majit, 75 për qind e qytetarëve të BE-së thanë se vaksinat ishin mënyra e vetme për t’i dhënë fund pandemisë së Kovid-19, ndërsa 69 për qind ishin vaksinuar ose dëshironin të vaksinoheshin sa më shpejt të ishte e mundur, ndërsa 79 për qind thanë se ato do të vaksinohen deri në fund të këtij viti, tregon sondazhi evropian i opinionit publik.
Megjithatë, Eurobarometer vëren se personat nën moshën 45 vjeç tregojnë rezistencë më të madhe ndaj vaksinimit, e cila mund të jetë për shkak të faktit se ata gjithashtu kanë një rrezik më të ulët të zhvillimit të një forme të rëndë të sëmundjes.
Më pak se gjysma e qytetarëve (49 për qind) janë të kënaqur me mënyrën sesi Bashkimi Evropian menaxhon vaksinimin dhe 45 për qind janë të pakënaqur. Qytetarët janë edhe më kritikë ndaj autoriteteve të tyre kombëtare në këtë zone.