Javë më parë Qeveria miratoi ndryshimet e Ligjit të noterëve dhe atij për përmbarim me të cilin përveç që do të shlyhen kamatat dhe qytetarët do të duhet të paguajnë vetëm borxhin bazë, njëherazi do të ulen tarifat e noterëve dhe përmbaruesve. Shpenzimet e qytetarëve të cilët kanë borxhe për shërbimet komunale dhe ata të cilët kanë kredi konsumatore, në të ardhmen do të jenë më të ulta
Zejnulla VESELI
Shkup, 1 tetor – Këtë javë, në seancën e parë plenare të Parlamentit të Maqedonsië, në rend dite do të gjendet edhe ligji për shlyerjen kamatave të borxheve të mbetura, që qytetarët e Maqedonisë i kanë ndaj kompanive private dhe shtetërore, shkruan gazeta KOHA. Javë më parë Qeveria miratoi ndryshimet e Ligjit të noterëve dhe atij për përmbarim me të cilin përveç që do të shlyhen kamatat dhe qytetarët do të duhet të paguajnë vetëm borxhin bazë, njëherazi do të ulen tarifat e noterëve dhe përmbaruesve.
PËR SHËRBIME NOTERIALE, VETËM 10 PËR QIND TË BORXHIT
Ulja e shpenzimeve të qytetarëve të cilët kanë borxhe për shërbimet komunale dhe ata të cilët kanë kredi konsumatore, në të ardhmen do të jetë më të ulta. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, për shërbime noteriale, qytetarët do të paguajnë 10 për qind të borxhit të përgjithshëm, por jo më shumë se 500 denarë.
“Kjo do të thotë se në rast se borxhi është 1000 denarë, kompensimi për notarin do të jetë 100 denarë, nëse borxhi është 10,000 denarë përsëri kompensimi do të jetë 500 denarë. Këto ndryshime ligjore priten që të vendosen përpara deputetëve për miratim. Nëse më parë shpenzimet e përgjithshme te noteri kanë qenë 3490 denarë për llogari prej 3000 denarësh, tani do të bëhen vetëm 550 denarë për noter. Në llogari prej 11,000 denarësh për rrymë dhe ngrohje, shpërblimi i noterit ka qenë 1100 denarë, tani me kufizimet е rеја do të jetë po ashtu 500 denarë. Taksa gjyqësore prej 200 denarësh zvogëlohet, shpenzimet e avokaturës prej 4000 denarësh nuk do të paguhen. Nëse më parë shpenzimet kanë qenë 5770 denarë, me tarifat e reja do të jenë 750 denarë. Çmimi për administrim për përmbaruesit, më përpara ka qenë 300 denarë tani do të ketë tjetër tip të kompensimit, çmimi për administrim nuk do të ekzistojë”, deklaroi Renata Deskoska ministre e Drejtësisë.
Miratimi i ligjit të ri u përkrah dhe u miratua nga shumica e deputetëve nga Komisioni amë pranë Parlamentit të Maqedonisë edhe përkundër vërejtjeve të shumta. Deputetja e BDI-së, anëtare Komisionit për punë dhe politikë sociale, Mirsade Emine-Asani, është e mendimit se Ligji i ri do të miratohet së shpejti edhe nga deputetët e Parlamentit, mirëpo pas miratimit ka nevojë të ndryshohet.
BLLOKIME TË QËLLIMSHME TË XHIROLLOGARIVE!
“Në të ardhmen do të duhet me ligj t’iu ndalohet përmbaruesve te iu bllokojnë llogaritë bankare të gjithë personave që e kanë humbur vendin e punës dhe tani paraqiten si të papunë, personat që marrin ndihma sociale sidomos për borxhet e vjetra q ë kanë ndaj kompanisë energjetike EVN, kompanive shtetërore si, ujësjellësi dhe kompanisë komunale higjienike, kompanive private që ofrojnë shërbime telefonike si dhe bankave që kanë lejuar kredi konsumatorësh. Të gjitha këto subjekte që po i përmendi e kanë fajin për shkak se me qëllim u kanë lejuar qytetarëve me vite të mos paguajnë faturat edhe pse kanë pasur mekanizmin mbrojtës, pra t’iu ndërpresin furnizimin e rrymës, ujit, bisedave telefonive menjëherë me mos pagesën e faturës së dytë. E gjithë kjo është bërë në bashkëpunim me kompanitë private për interesat e tyre dhe përmbaruesve duke i rrjepur qytetarët të cilëve për borxh bazë prej 1000 denarëve kanë paguar mbi 30 mijë denarë. Me ligjin e ri do të ndalojmë ëndrrën e përmbaruesve, noterëve dhe avokatëve dhe kompanive të pasurohen në kurriz të qytetarëve të cilët me vite i kanë detyruar të vuajnë nga uria, për shkak të pamundësive financiare për të shlyer borxhet e vjetra si pasojë e kamatave të dhe tarifave të larta të përmbaruesve”, thotë Emini-Asani deputetja e BDI-së.
Ana Gligorovska nga shoqata qytetare “No Pasaran”, njehërit dhe iniciatore e nismës për grumbullimin e nënshkrimeve kundër përmbaruesve me moton “Stop Përmbaruesve”, thotë se vendimi i qeverisë ka të bënë vetëm shlyerjen e kamatave të borxheve të mbetura dhe zvogëlimin e tarifave të përmbaruesve por jo edhe për afatin e vjetërsisë së borxhit.
“Vlerësoj se kështu Ligji që pritet të miratohet së shpejti nga Parlamenti nuk është i plotë dhe duhet të bëhen korrigjime. Ligji i ri nuk parasheh se si do të llogariten kamatat dhe cilat kamata do të fshihen sepse kemi kamata mbi kamatë për borxhet e mbetura dhe nëse sot të informon përmbaruesi për borxhin e kamatave, ky borxh pas dy muajve trefishohet dhe i shtohen edhe kamata tjera. Pastaj me ligj aspak nuk është përcaktuar kur vjetërsohet borxhi, sepse tek përmbaruesit kemi epilog përfundimtar të lëndëve edhe për borxhe që janë më të vjetra se 15 vite dhe se borxhi prej 5000 denarëve së bashku kamatat dhe harxhimet e përmbaruesve kalon shumën mbi 5000 euro”, thotë Ana Gligorovska, nga shoqata qytetare “No pasaran”.
PËRMBARUESIT NUK DO TË HEQIN DORË NGA TARIFAT E TYRE
Nga Oda e Përmbaruesve ende nuk kanë dalur me qëndrim pas miratimit të Ligjit nga na e Qeverisë, por informojnë se janë në koordinim me përmbaruesit e tjerë për të thirru mbledhje ku pas mbledhjes do të dalin me kumtesë të përbashkët se si do të veprojnë në të ardhmen pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Nga kjo odë po ashtu thonë se ata aspak nuk janë konsultuar as nga propozuesi i ligjit të ri, as nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, prandaj as që kanë ndërmend të heqin dorë nga tarifat e vjetra të përmbarimit, sepse, siç thonë, paraprakisht askush nuk i ka konsultuar apo ftuar të marrin pjesë në debatin publik të mbajtur nga komisioni amë në Parlamentin e Maqedonisë.
Ndryshe profesioni më i paguar në pesë vitet e fundit në Maqedoni është ai i përmbaruesit. Të gjithë përmbaruesit që e ushtrojnë këtë profesion nga viti 2007, kur dhe hyri në fuqi Ligji për përmbarim e që janë rreth 100 përmbarues, pesë vitet e fundit kanë realizuar të hyra të përgjithshme prej 60 milionë euro, ndërsa kanë përfituar 23 milionë euro. (koha.mk)