39 deputetë me iniciativë të organizatës qytetare “Nisma O2”, kanë formuar grupin parlamentar që për qëllim do të ketë mbrojtjen e natyrës dhe luftën kundër ndotjes së ajrit, si dhe do të hartojë politika për ndryshimet klimatike
Destan JONUZI
Shkup, 28 nëntor – Ajo e cila i nevojitet për momentin Maqedonisë është rregullimi i fortë dhe i qartë ligjor, si dhe përcaktimi i saktë i kompetencave të institucioneve kompetente, të cilat do të mbyllin “boshllëqet ekzistuese” përmes të cilave dalin në “shesh” ndotësit për vite me radhë, thonë nga Organizata e Qytetare për mbrojtjen e mjedisit “Nisma O2”. Kjo është ideja për formimin e këtij grupi parlamentar. Grupi, në bashkëpunim me organizatat dhe iniciativat e shoqërisë civile, do të punojnë në mbrojtjen e natyrës dhe do të luftojnë ndotjen e ambientit.
“Mjedisi jetësor nuk njeh ngjyra politike dhe aty nuk ka pengesa që të bashkëpunojnë partitë nga shumica dhe opozita, së bashku me sektorin civil. Bëhet fjalë për iniciativë interparlamentare për çështje të mjedisit jetësor apo e quajtur si Eco grupi parlamentar. Aty bëjnë pjesë 39 deputetë deri më tani, prej të gjitha grupeve parlamentare, pozitë-opozitë dhe grupeve të deputetëve. Ideja është që të propozohen ndryshime të ligjeve dhe ndryshime të rregullave që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit jetësor”, deklaroi për KOHA, deputeti Kastriot Rexhepi, anëtarë i “Eko” grupit parlamentar. Ai thekson se edhe para zgjedhjeve, nga fundi i vitit 2019 në bashkëpunim të katër qendrave analitike të katër partive të cilat morën më shumë vota në vitin 2016, LSDM, VMRO-DPMNE, BDI dhe Lëvizjes BESA në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar Republikan (IRI) pas disa punëtorive u përpiluan propozim ligj për përdorimin e qeseve të plastikës, për të kontribuar në betejën për ambient më të pastër jetësor.
Deputetja nga radhët e BDI-së, Arta Bilalli-Zendeli, e cila po ashtu është pjesë e “Eko” grupit, informon se përveç deputetëve të kësaj iniciative që do të merren me avancimin e çështjes së ambientit dhe ndryshimeve klimatike, në parlament në procedurë janë edhe një numër i madh i amendamenteve që kanë të bëjnë me ekologjinë. “Tani jemi në fazë të miratimit të Buxhetit. Kanë përgatitur shumë amendamente të cilat ua kanë nënshkruar deputetet e VMRO-DPMNE-së. Nga ‘Nisma O2’ kanë edhe disa ide jashtë amendamenteve në drejtim të avancimit të çështjeve të mjedisit jetësor”, deklaroi për KOHA, deputetja Arta Bilalli-Zendeli. Por, ajo thotë se iritues është fakti që të gjithë këto amendamente kanë bëjnë me Qytetin e Shkupit. “Amendamentet i kishin shumë lokaliste, ndoshta 100% për Shkupin, dhe vetëm se 1 apo 2 për Maqedoninë Jugore dhe Lindore. Ka reagime nga deputetët në këtë drejtim”, nënvizon Bilalli-Zendeli.
Maqedonia ka një problem të kahershëm me ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës. Ajri i ndotur është shkaku i rreth 3 mijë rasteve të vdekjeve të parakohshme, sipas të dhënave zyrtare në Maqedoni. Tokat dhe ujërat ndoten nga ndotjet industriale, në pjesë të vendit me metale të rënda, siç tregojnë analizat zyrtare nga 16 pika të nxehta industriale. Në anën tjetër, hidrocentralet e vogla janë po ashtu, sipas organizatave qytetare, problem i madh për biodiversitetin.
Rexhepi shpjegon se qëllimi është që deputetët të dëgjojnë pikëpamjet, vërejtjet dhe propozimet e organizatave të shoqërisë civile për mbrojtjen e mjedisit, dhe më pas t’i shndërrojnë ato në ndryshime ligjore ose, nëse është e nevojshme, të organizojnë dëgjime publike ose mbikëqyrëse. Nga “Nisma O2″ thotë se kompetencat për mbrojtjen e mjedisit janë të ndërthurura ndërmjet Qeverisë, Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe inspektorateve shtetërore dhe komunale. Prandaj, sipas tyre, qytetarët ndonjëherë për informacione të thjeshta ose kërkesa ndaj komunave dhe institucioneve, për vite me radhë nuk mund të marrinë përgjigje për shkak se kërkesat e tyre ‘enden nëpër labirintet ligjore dhe të kompetencave të institucioneve’. “Kompleksiteti i problemit është justifikimi më i zakonshëm për të mos ndërmarrë veprime të përshtatshme, ndëshkimin e ndotësve, mbrojtjen e Mjedisit dhe ndërgjegjësimi i publikut për problemin”, thonë nga “Nisma O2”.
Ndërkohë, “Eko” grupi parlamentar dhe “Nisma O2” po punojnë për vërejtje mbi Buxhetin për vitin 2021 në fushën e mjedisit. “Përgjegjësia e deputetëve është të përfaqësojnë qytetarët, ndërsa qytetarët insistojnë në masa konkrete dhe zgjidhje përfundimtare të problemit që prek jetën dhe shëndetin e secilit prej nesh, familjeve tona, bashkëqytetarëve, miqve etj”, shprehen nga ‘Nisma O2’. Nga kjo organizatë presin që rezultatet fillestare të angazhimit të tyre të jenë të dukshme deri në fundvit, dhe shpresojnë që nga buxheti i shtetit të alokohen më shumë mjete për ekologji. (koha.mk)