Evis HALILI
Shkup, 19 dhjetor – Ministria e Kulturës ka shpallur këto ditë konkursin “Qytet kulture”, garën e fundvitit për të gjitha komunat, përveç atyre që janë pjesë e Qytetit të Shkupit, që synojnë të mbajnë këtë titull për vitin e ardhshëm, shkruan gazeta KOHA. Kulturë nga qendra në periferi, këtë synon ky konkurs, demetropolizimin e kulturës dhe zhvillimin e jetës kulturore në periferi, në qyteza dhe komuna ku manifestimet kulturore janë ngjarje më të rralla.
I riformatuar, por pa ndryshime të mëdha në koncept dhe kushtet e konkurrimit, nga Ministria e Kulturës pohojnë se këtë vit janë lehtësuar procedurat e aplikimit, por edhe metodologjia e vlerësimit të projekteve që do të prezantohen. Duke krijuar kështu shanse për të garuar dhe fituar edhe ato komuna që deri tani nuk kanë arritur të fitonin. Pasi konkursi është kthyer në një traditë që zhvillohet prej më shumë se dhjetë vitesh, jashtë tij kanë mbetur kryesisht vetëm komunat shqiptare, si Tetova, Gostivari, e të tjera. Përkatësisht, ky është viti i 15-të me radhë dhe deri tani asnjë komunë nga ato shqiptare nuk është përzgjedhur si qytet kulture, ndërkohë që disa komuna maqedonase e kanë mbajtur titullin “Qytet Kulture” disa herë me radhë. Të rregullt në konkurrim janë qytete si Radovishi, Manastiri, Prilepi, Kumanova, Shtipi, Velesi, Kavadari, Gjevgjelia, Koçani, Kriva Pallanka, Krusheva e Dojrani. Edhe pse kanë aplikuar rrallë, Tetova konkurroi parvjet, Gostivari disa vite më parë, apo edhe Dibra, refuzimi i programeve të dorëzuara prej tyre pa asnjë lloj arsyetimi nga ana e ministrisë ka mjaftuar që edhe përkrah apeleve drejtuar komunave për të aplikuar, ato nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi.
Sipas kushteve për këtë konkurs, çdo komunë duhet të dorëzojë një Program festivali të precizuar, me traditë historike të afirmuar, së bashku me projektet e tjera që duhet të jenë pjesë e programit, nga sferat e artit skenik, dramatik, figurativ, muzikës, e të tjera. Rregullorja e konkurrimit kërkon që po ashtu të parashikohen me saktësi të gjitha manifestimet që do të bëhen çdo muaj, ora dhe vendi i tyre, organizatorët, kostoja, sponsorët, e kështu me radhë. Përqindja e financimit të projekteve nga ana e Ministrisë së Kulturës nuk është e përcaktuar, por do të bëhet sipas buxhetit të parashikuar për mbështetjen e projekteve me interes nacional.
“Me qëllim që të krijohen kushte për një zhvillim të barabartë kulturor dhe të mundësohet aksesi i qytetarëve tek vlerat kulturore, si edhe të nxitet gjallërimi i kulturës në nivel lokal, në vitin 2018 do të sigurohen mjete për realizimin e këtij manifestimi”, thuhet në rregulloren e konkursit.
Konkursi këtë vit është shpallur me një spostim kohor, një muaj më vonë, dhe mbyllet në 15 janar të vitit të ardhshëm. Vonesat, ashtu si edhe për konkurset e tjera lidhen me transformimet që kanë pësuar, si në koncept, në disa raste, por edhe në procedurat e aplikimit.
Kryeqendra maqedonase e kulturës për 2017 është Berova, në të cilin të gjitha manifestimet kulturore, tradicionale, festivale e të tjera gjatë të tërë vitit u zhvilluan nën siglën “qytet kulture”. (koha.mk)