Evis HALILI
Shkup, 21 mars – Berova këtë vit do të jetë epiqendra e manifestimeve kulturore, shkruan gazeta KOHA. Stafeta e kulturës ka kaluar në pjesën më të madhe të komunave dhe deri tani nuk është dorëzuar në asnjë komunë shqiptare, duke bërë që 14 vite rresht, për aq kohë sa Ministria e Kulturës e mbështet këtë ngjarje – asnjë qytet shqiptar të mos shpallet “Qytet i kulturës”. Më shumë sesa të skualifikuar nga gara, komunat me përjashtime të rralla, as që janë paraqitur në këtë konkurs që shpallet çdo fund viti. Interesimi ka qenë i vogël, edhe pse justifikimet për mospjesëmarrje janë lidhur me vonesat në hartimin e programit të detajuar festiv, apo edhe në refuzimet që i janë bërë kur kanë konkurruar. Por, projekti për demetropolizimin e kulturës që organizohet nga Ministria e Kulturës duket se është drejt mbylljes. Interesimi i vogël nga komunat shqiptare ka kaluar edhe në pjesën tjetër, duke e reduktuar në minimum konkurrimin, me vetëm tre qytete. Nga ky institucion bëjnë me dije se në konkursin e këtij viti janë prezantuar vetëm tre komuna – Berova, Strumica dhe Makedonska Kamenica. Edhe pse mbështetja financiare që i jepet fituesit nuk është shumë e madhe dhe varion nga 200 mijë deri në 400 mijë denarë, gjithsesi krijon komoditet në zhvillimin e aktiviteteve për vetë komunat që vazhdimisht ankohen për buxhetin e vogël për projektet e kulturës. Tetova, për shembull, këtë vit nuk konkurroi për shkak se një vit më parë i është refuzuar programi i prezantuar. Nga kjo komunë kanë bërë me dije se “janë të dekurajuar nga refuzimi i bërë kur morën pjesë në konkurs pa asnjë lloj shpjegimi”. Po ashtu, edhe Dibra, Kërçova, Struga, apo Gostivari nuk radhiten në listën e aplikantëve. Ministria e Kulturës i shpall fituesit në bazë të Programit që dorëzohet nga çdo qytet, i cili duhet të jetë i precizuar për të gjitha ngjarjet kulturore nga sferat e artit skenik, dramatik, figurativ, muzikës e të tjera që do të zhvillohen gjatë vitit. Programi fitues financohet nga Ministria dhe ka si qëllim të sigurojë kushtet për një zhvillim të barabartë kulturor, akses dhe shfrytëzim masiv të vlerave kulturore për të gjithë qytetarët, por edhe për të nxitur jetën kulturore në nivel lokal. Po ashtu, synon edhe demetropolizimin e kulturës dhe zhvillimin e jetës kulturore në periferi, në qyteza dhe komuna ku manifestimet kulturore janë më të rralla. Disa qytete e kanë mbajtur këtë titull për dy apo tre herë me radhë, ndërsa konkurrimi është kthyer në traditë për disa qytete të tjera si Radovishi, Manastiri, Prilepi, Kumanova, Shtipi, Velesi, Kavadari, Gjevgjelia, Koçani, Kriva Pallanka, apo Krusheva, kurse Dojrani u shpall “Qytet i Kulturës” për vitin 2016.
Në Ministrinë e Kulturës bëjnë me dije se programi i dorëzuar nga Komuna e Berovës ka një përmbajtje të pasur me manifestime kulturore konkrete e cilësore në të gjitha disiplinat, e karakterizuar me një shumëllojshmëri zhanresh. Në të do të performojnë artistë dhe rinj dhe me renome, nga jashtë vendit, produksione nga qytetet dhe institucionet kufitare, gjë ë do të sigurojë një zhvillim të balancuar kulturor dhe do të nxisë zhvillimin ndërkombëtar kulturor të kësaj komune.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.