(Kolumnën ia kushtoj miqve të mi të rinj e kreativë – që m’a krijojnë të tashmen, miq tejdimensionit kohor e shumë si këta që i njoh e do i njoh mëtej…! Asht preludë për ta dhe …muzikën elektronike!)
Nga Adelina MARKU
“A u ndreqe?” – shpesh im atë në të folmen e tij e përdorke dialektin e gegnishtes së Kosovës e Malit të Zi… Në fakt, ne jemi rrit me tregimet e babit për miqtë e tij nga Kosova e Mali i Zi, Presheva njashtu – tek tuk. Njajt jena rrit edhe me iluzionin mbi Shqipninë, por ai ishte një iluzion i rremë… sepse kur ra muri, ra iluzioni! Masnej mësuam që këtë lidhje gjuhnore t’shkrime në një t’folme universale t’a përjetojmë edhe si ekzotikë madje, …sot kjo na duket edhe sexy edhe e jona shum. E kemi përbrendu disi, mishnu! (Du shum kur i shkel barrierat, kur i trus me taket e mia t’nalta, kur i rrafshoj! Moralizmi asht nji anti mësim në kuptimin tim! Nuk bahesh njeri i mirë tuj moralizu. Pik!) Padyshim përdorimi i shpeshtë i ksaj gegnishteje n’tosknishte (e via versa) boni që ne fëmijët e tij t’a ndjejmë po atë vibrim në t’folmen tonë, po atë dashni për tjetrin, sidomos unë që shkruaj dhe që refuzoj me i respektu standardet e gjuhës sonë… (Këtë përparësi ka kolumnisti a! Nuk më fusin tekstin në centrifugën e lektorimit, del ashtu qysh e jap!). Kështu mësova se si qenka NDREQJA E VETES! Masnej aty për aty prodhoj një si tip teoreme a, apo një si tip vetëarsyetimi, vet’knaqje do thoja ma shum, e them se , kur din me e përba gjuhën që flet, me gjas’ din me pranu tjetrin që është ndrysh nga ti, por që din me mat knaqësinë njajt si ti! Dhe kështu unë kam mësuar të shpall modestinë- ART T’JETUMI!
E folmja ka të bën me dashninë poashtu, me pranimin e tjetrit/ës! Unë psh rrefuzoj konvencionin kohëve të fundit, sepse gjykoj se e rrendmja pas standardeve t’kodifikume dikur e nga dikush në një kohë e për një kontekst kohor e rrethanor të dhanë , jodoemosdoshmërisht duhet të jetë standard i t’jetumit e t’veprumit tem sot. E nëse doni me dijt, ky përcaktim imi që m’zbriti në këtë moshë jete , po m’ban me u ndi jashtë standardeve ! Doemos që nuk asht standard në dekadën e pestë të jetës të mahnitesh me muzikën elektronike që e bën një maestro nga Gostivari psh, Blerimi ( Rustemi) , ( siç u mahnita këtyre ditëve unë). Ky asht përjashtim…por , përjashtimet bëjnë rregullin mëtej, mos harro! Për më shumë , kur shoshit dialektet bashkë , pak dibrançe, pak gostivarçe, oj sa shumë tetovarçe e strugançe , prishtinase e tironse…ti në fakt e kupton se pikërisht tek ky amallgam kreativ qëndron fuqia e gjuhës , mbarset fuqia e nukleusit kombëtar. Dhe nuk të pengon të shndrohesh në urë e të përcjellësh lidhjen. Mos ju tut dialektit e origjinës pra!
Tani , tek përmenda babën , desha të ndaj me ju mësimin që më la ai pas e që kish të bënte me tej-konvencionalizmën e të jetumit . Doemos: mos vidh , mos rrej, mos vraj! – janë shtyllat e njeriut të mirë a , e për më shumë , nga ai mësova se ky mësim nuk meret në xhami o kishë e as te moralizusit konvencional. Për t’a mbri të njajtin, pra premtimin e këtillë para Zotit mundesh me e arrit edhe pa ndërmjetësimin e fesë në mes ( ai nuk preferonte fare gjuhën e standardizume të priftit ose hoxhës, gjuha e babës sim për “udhën e Perëndisë”, ishte jashtë konvencës së hoxhës o priftit, jashtë moralizmave të tjera! Ai nuk njihte ksi barierash …Sigurisht që e tillë jam dhe unë , të meremi vesh!)
Pra, qysh me u ndreq në këtë kohë t’pakohë qenka dilema e njeriut ose të riut sot sepse jodoemosdoshmërisht gjejmë njeriun e duhun në vendin e duhun dhe dëshpërimi – them unë- i njeriut e të riut sot , asht shumëfish ma i theksum se i të riut të kohës së socializmit! Sot, depresioni asht njajt si kolera dikur a, nëse kolera shpërndahej si epidemi vrastare , sot depresioni po depersonalizon të riun, njeriun më saktë! Sepse, ka hyp qeni në sixhade – thonë nga Dibra e rrallë rrallë tek i pasuni gjejmë edhe filantropin, ose rrallë rrallë tek gjykatësi gjejmë edhe autoritetin e t’pavarunit, ose rrallë e kurrë tek shteti gjejmë provajderin… e kështu me radhë. Por, kur njeriu arrin me e kuptu këtë rrëshqitje/rramje të sistemit, atëherë ban mirë me lyp me ndreqë veten e me mbajt t’ngritun moralin personal! Lyp me i shpallë luftë sistemit përmes ngjizjes s’vazhdushme t’ vetes ! Jehona, shoqja ime e fëmijërisë do thoshte: “ me u aftësu me rikriju veten vazhdimisht!” Thonë se kjo qenka arritja e njeriut të shekullit 21! Unë e dua këtë përcaktim , vlen për ata që kanë shpallur Pamoshën vlerë universale të të jetumit! Pra , paska mënyra të ndreqjes jashtë kësaj pritshmërie, jashtë kornizave konvencionale. Unë kam kuptuar se njeriu i cili pret që paraja t’a bëjë të lumtun, ose partia t’ia plotësojë karierën ( për shkak të ‘besnikërisë”) , ose dashninë t’a blejë o korruptojë, ose biles biles njeriu që pret të mer atë që meriton (!?), ose ai /ajo që pret një jetë tanë të jetë i respektum nga tjetri …në esencë ky njeri asht i palumtun ë! Në këtë hesap palumtunie as prifti e as hoxha nuk t’ndreq po s’dijte me ndreq veten vetë! Hahahha, biles do thoja , narativa e diskursi i tyne të shkund më keq, të radikalizon ma shum, sepse jo secili nga ne asht i prim me ndjek moralizmat e dogmave ideologjike a. Kur mëson mësimin e SINDRENQJES, rikrijimit të vetes pra , ke mësu mësimin e jetës tande…dhe , i shpall kohës matjen përmes orës tande personale. Tan’ këtë hymje, tan’ këtë dhanie jush e bona për me ju josh ditën ndrysh’. Këtë shkrim m’a inspiroi një grup të rrinjsh që përjetojnë muzikën elektronike si Zotin vetë! Ishte edhe vendimi im i aty atyshëm këtyre ditëve , për me shiju diçka ndryshe e tuj dasht me përjetu një muzg e një agim në vajbet e muzikës elektronike të Blerimit nga Gostivari, të një të riu shqiptar që jeton jashtë konventave të tjerëve por që ka zgjedhur të jetë besnik i konventës personale, pa dëmtu e lëndu najkend kurrë! Dhe një gjë për fund , nuk do gaboja me konstatimin se të dijsh të jetosh SOT e të SOTMEN,është njësoj sikur të shumëzosh një jetë të tanë me ditën që e ki konstruu ma së miri! Kështu ngjau edhe një ditë imja me miq , t’moshave e kulturave të ndryshme , një ditë e kësaj vere mrolane…një ditë që na bani lidhjen me muzikën e Blerimit njajt sikur njeriu që ban lidhjen saças me pikturën e Mona Lizës kur bef pa plan n’ Luvr…
Aty, rikrijohet arti i modestisë së jetës tënde dhe mson qysh m’u ndreq mëtej! Babi im kish pas të drejtë!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)