Çmimi i energjisë elektrike në rajon ka mundësi të shtrenjtohet dukshëm nëse vazhdojnë edhe më tej të jetë dominues prodhimi i energjisë nga qymyri, dhe nëse i njëjti nuk zëvendësohet me prodhimtarinë nga burime të tjera më të shpagueshme ekonomike dhe ekologjike.
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 prill – Çmimi i energjisë elektrike në rajon ka mundësi të shtrenjtohet dukshëm nëse vazhdojnë edhe më tej të jetë dominues prodhimi i energjisë nga qymyri, dhe nëse i njëjti nuk zëvendësohet me prodhimtarinë nga burime të tjera më të shpagueshme ekonomike dhe ekologjike. Kjo është porosia që Komunitetit energjetik evropian i dërgoi Maqedonisë veriore dhe të gjitha shteteve të tjera të Evropës juglindore dhe rajonit të Detit të zi, që në të ardhmen pritet të bëhen anëtare të tregut të brendshëm energjetik të Bashkimit Evropian, shkruan gazeta KOHA.
Nga atje shtojnë se këto shtete së bashku me Ukrainën i përkrahin kapacitetet e prodhimtarisë së rrymës nga qymyri si termocentralet dhe xeheroret me 2.4 miliardë euro në vit, ndërsa vlerësojnë se asnjë termocentral nuk do të punonte pa humbje, në mungesë të ndihmës shtetërore. “Pa zëvendësim përkatës me burime të tjera të energjisë dhe pa subvencionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta për prodhimin e energjisë nga qymyri , çmimi i rrymës për amvisëritë do të rritej me 29 për qind në Maqedoninë e Veriut, për 23 për qind në Kosovë, për 31 për qind në Bosnje e Hercegovinë, për 37 për qind në Mal të zi dhe për 49 për qind në Serbi”, tregojnë analizat.
DO TË SHTRENJTOHEJ EDHE KOSTOJA E PUNËS
Njëherazi në rast të mos zëvendësimit të impianteve të prodhimit të rrymës nga qymyri me burime të tjera, do të shtrenjtohej edhe kostoja e punës së biznesit në ato veprimtari që përdorin energjinë elektrike që mund të sjellin edhe shtrenjtimin e prodhimeve dhe shërbimeve të caktuara. Nëse nuk kemi zëvendësim adekuat me burime të tjera të energjisë, rryma do shtrenjtohej për industrinë me 34 për qind në Maqedoninë e veriut, për 36 për qind në Mal të zi, për 30 për qind në Bosnje dhe Hercegovinë dhe për 18 për qind në Serbi.
“Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë nuk mund më të shohin më larg nga pasojat e mbajtjes së një sistemi energjetik me bazë të qymyrit , jo përfitues të paefektshëm, dhe të paqëndrueshëm”, thotë Janez Kopaç, drejtor i Komunitetit të Energjisë dhe bashkëautor i studimit. Njëherësh krahas, dëmit për shëndetin, mjedisin dhe klimën, favorizimi i qymyrit çrregullon edhe tregun e energjisë elektrike dhe ngre edhe pyetje serioze kur është fjala për harmonizimin me rregullat e ndihmës shtetërore”, thotë Janez Kopaç kryetar i Komunitetit Energjetik Evropian dhe një nga autorët e këtij studimi. Sipas tij, është koha për të menduar seriozisht që gradualisht të vendosen mekanizmat e çmimit të karbonit në Komunitetin e Energjisë për të mirën e masave në favor të efikasitetit të energjisë dhe rritjen e shfrytëzimit të energjisë së rinovueshme.
Në studim më tej theksohet se subvencionet ju mundësojnë kompanive që prodhojnë energjinë elektrike në termocentrale që tregun ta furnizojnë me çmimet që janë në nivelin real , apo me çmimet që prodhuesve ju mundësojnë që humbjet ti mbajnë në nivelin më të ulët të mundshëm , ose edhe të jenë fitmprurëse. Subvencionet shpesh miratohen me qëllim që shtetet të mbajnë çmimet për konsumatorët final në nivele të ulëta me qëllim që të evitohen problemet potenciale ekonomike, sociale dhe politike. Vetëm në periudhën 2015 -2017, Kosova, Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia kanë ndarë nga buxhetit dhe fondet sociale më shumë se 160 milionë euro për të ruajtur paqen e brishtë sociale. Njëherazi këto kompani shtetërore që fitojnë subvencione të rregullta nuk janë të motivuara që të përmirësojnë punën e tyre, të ulin harxhimet dhe të punojnë në bazë të parimeve të tregut. Me fjalë të tjera, studimi i komunitetit energjetik udhëzon se qymyri po bëhet edhe pengesë në rrugën e anëtarësimit të shteteve të rajonit në BE.
Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut edhe në të kaluarën, por edhe aktualisht po përgatitet që të rrisë dukshëm prodhimtarinë vendore të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë si era, uji , dielli etj. Të mërkurën, zëvendëskryeministri për çështje evropiane Koço Angjushev theksoi në Berlin në forumin energjetik se me ligjin e ri të energjetikës hapet rruga për investime të reja në sektorin energjetik, dhe sidomos të prodhimtarisë nga burimet e rinovueshme.
“Maqedonia e Veriut deri tani nga burimet e rinovueshme ka instaluar 73 megavat të hidrocentraleve të vogla, 17 megavat të elektranave fotovoltaike nga dielli dhe 36 megavat nga elektranat me erë, që është një pjesëmarrje e ulët në raport me shtet e zhvilluara. Në plan është që të ndërtohen centrale fotovoltaike me fuqi prej 200 megavat në vitet e ardhshme, ku deri në fund të këtij muaji do të shpallet tenderi për 35 megavat që do të ndërtohen në tokë shtetërore, dhe 27 megavat në tokë private”, thotë Angjushev. Ai shton më tej se punohet edhe në disa projekte për elektrana me erë, ndërsa po përfundojnë edhe tenderët për ndërtimin e 22 hidrocentraleve të vogla. Sipas Angjushev, me ndërtimin eventual të hidrocentralit Çebren, shteti do të rrisë dukshëm prodhimtarinë e rrymës nga burimet e rinovueshme.
VENDIMET E MËDHA NË DEKADËN E ARDHSHME
Duke përmbyllur rezultatet dhe planet në prodhimin e energjisë nga burimet që nuk ndotin ambientin, ai shton se në vend në 10 vitet e kaluara janë ndërtuar kapacitete me fuqi prej afër 120 megavat, ndërsa pritet në 3-4 vitet e ardhshme të ndërtohen centrale me fuqi të instaluar prej 300 megavat. Ndryshe, ekspertët thonë se si shtet për momentin kemi përdorim të burimeve të rinovueshme për prodhimin e energjisë elektrike me 18 për qind të totalit, që së shpejti pritet të arrijë edhe 20 për qind. Në të ardhmen sfidë në të ardhmen do të mbetet si për Maqedoninë ashtu edhe për shtetet e rajonit, vendimet e mëdha në dekadën e ardhshme për modernizimin apo zëvendësimin e së paku 50 për qind të termocentraleve.
Analizat tregojnë se rajoni do të duhet të zëvendësojë më shumë se 30 për qind të kapacitetit aktual të prodhimit të bazuar në karburante fosile deri në fund të vitit 2030 dhe më shumë se 95 për qind deri në vitin 2050. Të gjitha këto projekte jo të lehta dhe të lira , parashikohen për shtetet që aderojnë në BE, që do t’u ekspozohen proceseve të përbashkëta të liberalizimit të tregut, integrimit dhe dekarbonizimit si rezultat i miratimit të legjislacionit evropian për energji, apo përafrimin e legjislacionit dhe politikave të saja me ato Acquis Comunitare të BE-së. (koha.mk)