Pas dy humbjeve të fundit në raundin kualifikues të Kupës së Botës në Amerikën e Jugut, Carlos Queiroz është shkarkuar nga detyra si përzgjedhës i Përfaqësueses së Kolumbisë, ka konfirmuar federata nacionale të martën në mbrëmje. Në komunikatën për shtyp është thënë se kjo ka ardhur pas marrëveshjes së dyanshme. Trupi qeverisës i futbollit kolumbian ka shtuar se janë në kërkim të një trajneri të ri që do ta zëvendësonte portugezin.
Në tetor, Kolumbia e hapi kampanjën për Kupën e Botës në Katar me fitoren 3:0 kundër venezuelas në Barranquilla, katër ditë para se të barazonte 2:2 me Kilin. Megjithatë, ekipi shtetëror i futbollit kolumbian humbi në dy duelet e fundit. U mposht në shtëpi 3:0 nga Uruguai, ndërsa pësoi disfatë nga Ekuadori 6:1 në Quito.