Nëse do të bashkonim moshën e tyre, do të prodhonim 74 vite. Nëse do të bashkonim golat, 13 në 17 javë kampionat, por sidomos peshën e tyre (13 pikë i kanë sjellë ekipeve respektive). Njëri është 39, tjetri 35. Kur lindte i pari, Milani fitonte titullin, Bruno Giordano fitonte renditjen e golashënuesve me 19 gola, ndërsa Gianni Rivera varte këpucët në gozhdë.
Kur vinte në jetë tjetri, sakaq, Roma kthehej të fitonte titullin pas 41 vjetësh Seria A jepte dritën jeshile për federimin e dy futbollistësh të huaj, Juventusi mbështetej të Platini, golashënues me 16 gola.
Kohët kanë ndryshuar, teknologjia ka pushtuar futbollin dhe nga romantizmi kanë mbetur disa thërrime në një futboll të projektuar më shumë në shifra, fitime kolosale, ndeshje pa pushim dhe sidomos të drejta imazhi e marketing.
Sot është futbolli i imazhit, por ata të dy vazhdojnë që të bëjnë atë që dinë më mirë: të çajnë rrjetat e portave kundërshtare.
Ju prezantojmë Sergio Pellisier dhe Fabio Quagliarella, të pavdekshmit e golave. Ata që kartën e identitetit nuk kanë nevojë ta rinovojnë kurrë.
Kapiteni i Sampdorias, me kontratën që po i skadon, Fabio Quagliarella shënon prej 7 ndeshjesh radhazi, diçka që nuk ndodhte që prej vitit 2010, për një italian: i fundit ishte “Toto” Di Natale. Ndonjëherë luan Defrel, ndonjëherë Caprari, të tjera Ramirez, tek tuk Koënacki: por ai, Fabio, është gjithmonë aty në fushë.
Vendosje taktike perfekte, nuhatës i zonës kundërshtare, pozicional në marrjen e pasimit të shokut, por sidomos finalizues. Një “ujk i golit”. Nëse sot Italia do të riluante atë ndeshje të mallkuar përballë Suedisë që e la jashtë Botërorit 2018 në Rusi, padiskutim që nuk do të mbyllje 0-0. Sepse Fabio, jeton dhe do të vdesë për golin!
Pastaj është ai tjetri… Pellissier. Shumë e kishin harruar dhe futur në albumet e kujtimeve të Serie A, por ka mjaftuar largimi i Venturas nga stoli i Chievos pas vetëm dy ndeshjesh që të rishfaqte personazhin. Po flasim për “gjyshin” e ekipit veronez, 39 vjeç, por me një personalitet dhe dëshirë që sot nuk e gjejmë as te 10% e të rinjve që luajnë në fushat e blerta.
Prej 17 vitesh i dashuruar me një fanellë, në qyetin e Romeo dhe Zhuljetës, Sergio ishte ai që në javën e 17-të i tregoi Interit se nuk mjaftojnë kampionët dhe yjet për të triumfuar, por sidomos pasioni dhe dëshira për të dhënë më shumë se vetja.
Një gol, i dyti në katër ndeshjet e fundit, që ia vlen të shihet dhe rishihet. Freskia e një 20-vjeçari dhe nuhatja e një 37 vjeçari. Prekja? E një “talenti”.
Një “ëmblësirë” përpara Krishtlindjeve, në një barazim të pashpresuar në “Dall’Ara”. Në Serie A ka shënuar 110 gola, të gjitha me Chievon, ndërsa janë 136 për Quagliarellan, që nuk ndalet. Të pavdekshmit që nuk harrojnë se si bëhet.
Legjendat që, kur do të lënë futbollin, të gjithë do të kujtojnë me buzëqeshje. Pleqtë që nuk lëshojnë, por komandojnë ende “turmën”. Dhe, kur arrijnë ta bëjnë edhe në një det të trazuar, atëherë detyrojnë edhe dallgët që të ndahen në mes…