Shkup, 11 mars – Para Gjykatës Supreme në Shkup, të dielën është hequr edhe bazamenti në të cilin para pak kohësh qëndronte përmendorja e Andon Janev – Qoses, i cili u hoq natën midis 21 dhe 22 shkurtit dhe u çua në magazinat e Entit metalurgjik -Tito. Urdhrin për heqjen e monumentit e lëshoi Inspektorati Ndërtimor i Komunës së Qendrës pas inspektimit dhe gjendjes faktike të vërtetuar se nuk ka pasur vendim për vendosjen e kësaj përmendoreje. Statuja e Qoses në këtë lokacion qëndronte nga shtatori i vitit 2014, si donacion i Shoqatës për bashkim shpirtëror të Setinëve, Popadinëve dhe Krushoradëve nga Follorina. Grupi i punës në Ministrinë e Kulturës, paraprakisht ka konstatuar një sërë shkeljesh ligjore gjatë vendosjes së këtij busti. Kryebashkiaku i Shkupit, Petre Shilegov, njoftoi muajin e kaluar se në vendin e monumentit do të mbillet pema e drejtësisë.