Qiriazët e Manastirit

Nga Xhevat LLOSHI

Në kujtesën historike të shqiptarëve, emri i qytetit të Manastirit u ngulit në mënyrën më tragjike me masakrën e 500 krerëve shqiptarë më 26 gusht 1830, të organizuar pabesisht nga Mehmed Reshid Pasha. Por, më 1908 emri i këtij qyteti u bë pjesë e pandarë e historisë së kulturës shqiptare me Kongresin e Manastirit për alfabetin e shqipes, që mbeti përfundimisht alfabeti i kësaj gjuhe. Sot qyteti quhet Bitola dhe shumë njerëz në Shqipëri nuk e dinë se është fjala pikërisht për Manastirin. Si ka ndodhur kjo luhatje kaq e thellë perceptimi kundrejt po atij vendbanimi?

Heraklea e lynkestëve e mori emrin nga Filipi II i Maqedonisë në mesin e shek. IV para erës së re, sipas gjysmëperëndisë Herakliut ose Herkulit. Në periudhën e hershme bizantine u bë qendër e rëndësishme peshkopale dhe më pas pati shumë kisha e manastire, nga e mori emrin Monastiri sipas greqishtes dhe nga kjo vjen trajta Manastir, sipas rregullave fonetike të turqishtes. Me këtë emër mbeti për shqiptarët. Mendohet se edhe emri i sotëm sllav Bitola vjen nga “obitel”, që ka po ashtu kuptimin e manastirit. Ishin pikërisht dyndjet sllave që e shkatërruan në fund të shek. VI, por më pas bullgarët e populluan krahinën dhe cari Samuil ndërtoi kështjellën e tij, e cila u rindërtua më 1015. Tashmë ishte një qendër e rëndësishme ushtarake, politike dhe ekonomike, kur më 1382 e pushtuan osmanët, domethënë shtatë vjet para Betejës së Kosovës. Osmanët e kanë përdorur kurdoherë si bazë ushtarake, nga janë nisur sulmet kundër Skënderbeut, Ali Pashë Tepelenës, Mustafa Pashë Bushatlliut dhe Zenel Gjolekës, sepse ishte në një pikëkalim kyç për në brendësi të Ballkanit.

Pas djegies së Shkupit më 1689, Manastiri mori rëndësi. Sipas E. Çelebiut, kur e vizitoi ai, tashmë kishte 70 xhami dhe 900 dyqane. Në fund të viteve 1830 kishte 35 mijë banorë. Më 1864 u bë qendër e vilajetit të Manastirit, ku bashkë me këtë qytet, bënin pjesë edhe sanxhakët e Dibrës, Elbasanit, Korçës etj. Ndërsa më vonë, politika osmane për të mos e lejuar bashkimin e shqiptarëve në luftën për trevat e veta, i ndau trevat e tyre në 4 vilajete. Njëri vilajet, i krijuar më 1875 dhe që hynte thellë mes tokave shqiptare, e kishte qendrën në Manastir. Pas një periudhe të shkurtër, kur përfshihej nën juridiksionin e Selanikut, mbeti qendër vilajeti deri më 1913. Aty u vendosën 12 konsuj të vendeve europiane, aq sa u mbiquajt “qyteti i konsujve”. Nga fundi i shek. XIX arriti të bëhej qyteti i dytë më i madh në Ballkanin jugor pas Selanikut, me të cilin u lidh me hekurudhë më 1894. Sipas të dhënave të botuara më 1898, Manastiri kishte 45 mijë banorë.

Fillimet e veprimtarisë për shqipen në Manastir lidhen me dy anë: së pari, me familjen Qiriazi; së dyti, me ardhjen e misioneve protestante dhe të agjentëve të Shoqërisë Biblike. Pas themelimit të Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja (BFBS) më 1804, ajo shumë shpejt u interesua për përkthimet në gjuhën shqipe dhe arriti më 1824 të botonte të parin ungjill shqip (Mateun) dhe pastaj Dhiatën e re më 1827, të përkthyer nga V. Meksi dhe të redaktuar nga G. Gjirokastriti. Kjo Shoqëri ngrinte depozita në qendra kryesore dhe i shiste botimet me librashitës shëtitës, që ndërmerrnin udhëtime nëpër vend. Në vitin 1861 në krye të degës së BFBS në Stamboll për gjithë Perandorinë Osmane erdhi Aleksandër Tomsoni (1820-1899). Pa kaluar shumë kohë ai vendosi të njihej me viset shqiptare për të parë kushtet për shitjen e librave shqip dhe për nevojat e reja. Në një shkrim pas këtij udhëtimi, ai i ka quajtur shqiptarët “një racë e egër por fisnike”. Pas njëzet vjetësh njohjeje nga afër me këtë popull ai e ka ndryshuar vlerësimin, por duke ruajtur gjithmonë të njëjtin epitet: “Shqiptarët janë një popull fisnik.” (22 shkurt 1884) Ai e pa se botimet toskërisht me alfabetin mbi bazën e shkronjave greke nuk mund të përdoreshin nga popullsia e Shkodrës dhe një vit më pas arriti të lidhej me K. Kristoforidhin për të bërë përkthime edhe gegërisht. Njëkohësisht në Shkodër vendosi një gjerman, Hermann Riedel (Ridel) si depozitar, ndërsa në maj 1865 në Janinë vendosi skocezin Aleksandër Davidson. Gjatë udhëtimeve të tyre këta librashitës çuan për herë të parë në Manastir libra shqip: Rideli në fund të vitit 1864, pasuesi i tij Edward von Laer më 1869.

Pas Luftës së Krimesë sulltani u detyrua t’u bënte lëshime fuqive të huaja, pa mbështetjen e të cilave do të ishte mposhtur. Më 1852 ai nxori një ferman, me anën e të cilit e lejonte veprimtarinë e protestantëve. Që më 1810, për të ndihmuar grupet e predikuesve ishte krijuar Bordi Amerikan i Komisionerëve për Misionet e Huaja, sepse ata përndiqeshin. Tashmë me fermanin veprimtaria e tyre ishte më e sigurt, u zgjerua në pjesë të tjera dhe më 1872 në Stamboll u ngrit Shtëpia e Biblës, në të cilën u vendos edhe BFBS. Pikërisht në verën e atij viti John Baird (Berdi) kishte mbaruar Seminarin protestant të Çikagos dhe në tetor u nis bashkë me dy misionarë të rinj për të punuar në Perandorinë Osmane. U vendosën në Eski Zagra të Bullgarisë. Pas një viti veterani i Luftës Civile amerikane Edward Jenney (Xheni) mbaroi Seminarin Andover të Masaçusetsit dhe në fund të gushtit u nis gjithashtu për në Turqi. Berdi dhe Xheni zgjodhën Manastirin si qendër vilajeti dhe u vendosën aty më 18 tetor 1873. Morën me qira një shtëpi, që ishte prapa shtëpisë së familjes Qiriazi.

Familja e Qiriazëve u shpërngul në fillim të shek. XIX nga Perasi i Korçës dhe u vendos në Tërnovë afër qytetit të Manastirit. Gjerasim Qiriazi lindi në familjen me shumë fëmijë të Dhimitrit. Ky ishte marrë me tregtinë e lëndës së drurit për ndërtim dhe prandaj u vendos në Manastir, ku hapi një magazinë të madhe. Sipas Skënder Luarasit, ai e ruante frymën e atdheut dhe prandaj kishte në shtëpi abetaren e N. Veqilharxhit e përkthimet shqip të K. Kristoforidhit. Sipas Xh. Kuanrudit, viti i lindjes së Gjerasimit është 1858 dhe jo 1861, siç e kanë pasur S. Luarasi dhe pas tij gjithë botimet shqipe, edhe Historia e Shqipërisë, edhe Fjalori Enciklopedik Shqiptar.

Gjerasimi mbaroi shkollën në gjuhën greke dhe pastaj hyri në punë si çirak te një këpucar. Misionarët amerikanë ia dolën që në fund të vitit 1876 të pranonin dy vendës në bashkësinë protestante. Njëri prej tyre, Nikolla, ishte shok me Gjerasimin dhe arriti të ushtronte ndikim mbi të. Madje Xheni e ndihmoi familjen, kur një herë Sevastia u sëmur nga malaria. Dhe pas kësaj ajo hyri në shkollën amerikane, ndërsa Gjergji ndiqte shkollën e së dielës, duke mësuar nga pak anglisht. Vetë Gjerasimi i ri vendosi që të bëhej anëtar i bashkësisë protestante, por hasi kundërshtimin e rreptë të familjes dhe të farefisit. Në gusht 1877 ai u pranua në bashkësinë protestante. Vitin tjetër ndiqte një kurs te Berdi në gjuhën bullgare për t’u përgatitur që të vijonte mësimet më tej.

Kolegji Teologjik Amerikan i Samokovit ishte hapur në shtator 1872. Aty Gjerasimi u pranua në klasën përgatitore më 1878, ndërsa shpenzimet përballoheshin nga Misioni Amerikan. Më pas shkolla u quajt Instituti Teologjik dhe Kolegji Amerikan, por pas Kongresit të Berlinit tashmë Samokovi i përkiste Bullgarisë. Gjerasimi e përfundoi shkollën në vitin 1882 dhe mori pjesë në mbledhjen vjetore të Misionit Protestant për Turqinë të Bordit Amerikan në Stamboll. Aty iu caktua që të mbikëqyrte një kongregacion të vogël bullgar në Shkup. U kthye në Manastir, por Bordi Amerikan nuk kishte fonde për ta mbajtur një përfaqësues aty. Atëherë Berdi i rekomandoi që t’i drejtohej A. Tomsonit.

Ndërkohë K. Kristoforidhi jo vetëm kishte botuar një varg përkthimesh shqip, por edhe abetare e broshura të tjera, të cilat kishin qarkulluar me sukses të veçantë në Shqipëri dhe, natyrisht, në vilajetin e Manastirit. Për veprimtarinë e tij të palodhur kam botuar tashmë një vëllim të gjerë, ku janë botuar edhe mbi 200 dokumente përkatëse, prandaj nuk është e nevojshme të shtjellohet këtu. E vlen të përmendet megjithatë se në Manastir kishte arritur edhe përkthimi i Mateut i vitit 1824, sepse Berdi i ka shkruar Londrës në maj 1875 që të rishikohet përkthimi, meqë sipas mendimit të tij “ai mëson herezi”. Në të vërtetë ai nuk e ka kuptuar sistemin e zbatuar për të dalë teksti shqip i kuptueshëm, duke kapërcyer ndryshimet e thella ndërmjet gjuhëve gjatë përkthimit. Emri i Kristoforidhit me Manastirin lidhet edhe në një rast tjetër me peshë. Më 16 korrik 1880 Lordi E. Fitzmaurice, përfaqësuesi i Britanisë në Stamboll në bisedimet e Komisionit Europian për Rumelinë Lindore, që pasuan Kongresin e Berlinit, i ka marrë një intervistë Kristoforidhit (botuar në “Blue Book”, vëll I, 1881), i cili mes të tjerash i ka thënë: “Bullgarët, shqiptarët dhe grekët fanatikë të gjithë njësoj kërkojnë Manastirin, Ohrin e Korçën, sikur u përkasin atyre, dhe japin statistika për të vërtetuar pretendimet e tyre, të cilat i dinë se janë të rreme, me shpresën se nuk do të demaskohen. Në këtë çështje fajtorët kryesore janë grekët.” Për Kristoforidhin Korça është shqiptare, kurse Ohri dhe Manastiri jo.

Me mbështetjen e A. Tomsonit u botua edhe “Gramatika e gjuhës shqipe’ e Kristoforidhit pikërisht po atë vit. Njëkohësisht në korrik 1882 i biri i Tomsonit, Roberti, mori pjesë në mbledhjen vjetore të Misionit Protestant për Turqinë Europiane në Manastir. Kur u kthye në Stamboll, i tregoi të atit për Gjerasimin. Ky u rekomandoi misionarëve të Manastirit (letër e 28 tetorit 1882) që të hapnin një klasë të mbrëmjes shqip, tashmë kur ishin të gjitha materialet e nevojshme shqip. Berdi nga Manastiri i shkroi qendrës së vet, Bordit Amerikan të Bostonit, por ata u përgjigjën se nuk kishin mundësi ta financonin. Që nga kjo kohë u krijua një gjendje e paqëndrueshme për Gjerasimin dhe sidomos një vështirësi, duke u ndodhur ndërmjet dy organizmave: Shoqërisë Biblike të Londrës dhe misioneve amerikane. Ky rivalitet ka vijuar deri ndërmjet dy luftërave botërore dhe, natyrisht, ka pasur pasqyrime edhe në Manastir.

Më 27 janar 1883 Tomsoni i bëri një ftesë bashkëpunimi Gjerasimit, duke i shprehur dëshirën që fëmijët shqiptarë të kishin mundësinë të ndiqnin shkollën në gjuhën shqipe, vetëkuptohet, për të pasur mundësinë të lexonin librat e shenjtë shqip, të përgatitur nga Kristoforidhi. Synimi i tij ishte të gjente një shqiptar për ta dërguar përfaqësues në Shkodër. Tashmë marrëdhëniet e BFBS me Kristoforidhin ishin ndërprerë, sepse Tomsoni në këtë letër shënon: “Fatkeqësisht, përkthyesi K. Kristoforidhi nuk është një i krishterë aktiv”. Një javë më pas i kërkoi Berdit dhe Xhenit në Manastir (letër e 2 shkurtit 1883) mendimin e tyre për Qiriazin, duke u premtuar se nuk do ta njoftonte pa marrë përgjigje prej tyre. Ndërkaq, Gjerasimi ishte i detyruar të punonte për Misionin Amerikan, i cili i kishte financuar shkollimin. Nga Shkupi, ku ndodhej me atë detyrë, ai i propozoi Tomsonit, që të ndërmerrte një udhëtim nëpër Shqipëri bashkë me një librashitës tjetër (letër e Gj. Qiriazit, 15 shkurt 1883).

Ishte viti kur, pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, qeveria osmane ndërmori përndjekjen e gjithçkaje të shkruar shqip, ndaloi qarkullimin e librave në Shqipëri dhe ndaloi madje shtypjen e librave shqip nga BFBS, në kundërshtim me marrëveshjen zyrtare dhe me parimin e lirisë fetare, që kishte pranuar prej kohësh. Megjithatë, është interesante se përndjekjet jo vetëm nuk i stepën shqiptarët, por e shtuan dëshirën e tyre për librin shqip. Është shumë domethënës ky fakt. Në Raportin vjetor të agjencisë së tij për vitin 1883 A. Tomsoni e ka vënë në dukje me kënaqësi, se shitja e librave shqip ka qenë madje pothuaj dyfish më e madhe se një vit më parë. Në shkurt 1884, pasi përmend se i kanë ardhur kërkesa shumë të ngutshme nga popullsia e krishterë e krahinave të ndryshme të Shqipërisë së Jugut për t’ua dërguar Shkrimet e shenjta në gjuhën e tyre amtare, ai shton se qarqet fetare greke: “Vazhdimisht nuk kanë pranuar që t’u jepej shqiptarëve arsimi në gjuhën e tyre, sepse kanë dashur t’i greqizojnë dhe kështu të rrisin numrin e vet, që vërtet është i vogël… Kam synuar që të ngrihet ky popull duke nxitur mësimin e gjuhës shqipe, që është e vetmja të cilën e kupton masa e njerëzve… por na duhet të përballojmë kundërshtimin e përhershëm nga ana e qeverisë osmane, e cila përpiqet të ndalojë çdo libër shqip, ndonëse të botuar me lejen e tyre jashtë Shqipërisë.”

Në maj 1883 Gjerasimi mori miratimin e Tomsonit dhe u nis në Manastir, u takua me librashitësin tjetër dhe më 14 maj nisën një udhëtim të gjatë me shumë peripeci nga Korça në Berat e deri në Shkodër e kthim në Manastir në gusht. Gjatë kohës që qëndroi disa muaj në Stamboll (1883-1884) pranë Tomsonit, tërthorazi del se Gjerasimi ka takuar edhe Naim Frashërin, me të cilin ka biseduar dhe i ka parashtruar së pari çështjen për heqjen e ndalimit të vënë nga qeveria për qarkullimin e librave dhe të lejohej botimi i librave shqip. Gjerasimi që në fillim e kishte shprehur qartë, se nuk e shihte veten të aftë për punën e librashitësit, ndërsa “ka dëshirë të madhe të punojë për bashkatdhetarët e vet në Shqipëri.” (A. Tomson, 22 shkurt 1884) Për këtë qëllim ai mendonte të hapte një dhomë leximi dhe një shkollë të së dielës shqip. Në prill 1884 propozoi që të vendosej në Manastir, ku kishte edhe shtëpinë e prindërve. Sipas tij, në atë kohë në Manastir kishte rreth një mijë familje shqiptare. Tomsoni ia arriti ta caktonte depozitar dhe përgjegjës për librashitësit me vendim të BFBS në Londër (prill 1884). Tashmë kemi edhe deklaratën e tij për kushtet e punësimit, të cilën e quaj të nevojshme ta bashkangjis si shtojcë, meqë është e panjohur.

Rrugës më 8 qershor Gjerasimi mbajti një shërbesë në gjuhën shqipe në Selanik, arriti në Manastir më datë dhjetë dhe më 22 qershor 1884 mbajti shërbesën e parë shqip përpara 36 vetave. Në një shërbesë në fund të shtatorit ka marrë pjesë edhe Tomsoni, që ishte për vizitë në Manastir dhe ka shënuar se merrnin pjesë edhe tri gra, ndërsa Gjerasimi kishte arritur të siguronte respektin e bashkatdhetarëve. Në dërrasën e zezë ishin shkruar edhe disa vargje shqip, të hartuara prej Gjerasimit. Tomsoni i ka quajtur këto “shërbesat e para, kur populli shqiptar dëgjon Ungjillin në gjuhën e vet”. S. Luarasi ka vënë në dukje, se një italian nga Manastiri, Il Ciulli, ka shkruar më 21 gusht 1884: “Një shqiptar protestant, që bën studime të veçanta në gjuhën e tij, pas së cilës është dhënë me mish e me shpirt, po përpiqet të botojë një gramatikë shqipe fare origjinale.” Që kur ishte në Stamboll Gjerasimi kishte punuar për një abetare të re toskërisht. Më vonë, në kujtimet e saj e motra, Sevastia ka shkruar se ishte pikërisht ai që i mësoi shkrimin e këndimin në gjuhën amtare. Ajo sillte në dhomën e leximit shoqet e saj dhe u tregonte librat shqip.

Një ngjarje e rëndë e ndërpreu veprimtarinë e tij. Më 12 nëntor u nis për në Korçë, por ra në duart e bandës së Shahin Matrakut, të cilët e mbajtën peng gjashtë muaj dhe e trajtuan me egërsi. U lirua dhe u kthye në mesin e vitit 1885 në Manastir. Tashti nisi mësimin e shqipes me tri vajza shqiptare, nxënëse të shkollës së vajzave të Misionit Amerikan, si dhe me të motrën, ndërsa një këpucar i ri vinte tri herë në javë. Në dhjetor tashmë ishin bërë 10 nxënës. Këto të dhëna janë me interes për të saktësuar pohimet e bëra deri më sot pa ndonjë mbështetje dokumentare. Në botimet e “Historisë së Shqipërisë”, vëllimi II, është mbajtur ky pohim: “Gjithashtu aty nga viti 1885 Gjerasim Qiriazi kishte hapur në Manastir një shkollë private shqipe për djem dhe për vajza.” Dokumentimi i ri, siç shihet, jep një pamje tjetër, që përputhet me dëshirën e tij të shprehur një vit më parë për një dhomë leximi të Shkrimeve të shenjta dhe një kurs të ditës së diel. Në prill 1886 ka shkruar: “Çdo javë u bëj nga një mësim për historinë e Shqipërisë, materialet për të cilën i mbledh nga libra të ndryshëm.”

Veziri i madh Sait Pasha, i cili e kishte ndaluar punën me gjuhën shqipe, pas humbjes në shtator 1885, kur Turqia u detyrua t’u lëshonte toka bullgarëve, më në fund u shkarkua nga detyra. Gjerasimi rifilloi shërbesat shqip dhe në to merrnin pjesë njerëz, që kishin marrë vesh për predikimet shqip, sidomos ata që vinin për tregti nga Korça. Klerikët ortodoksë e shihnin këtë si një rrezik kërcënues, sepse me përfshirjen e gjuhës shqipe në shërbesat fetare do të kalohej në zhvillimin e një bashkësie të krishterë prej vetë shqiptarëve. Tomsoni e ka vlerësuar kështu mësimin e shqipes: “Shkolla në Manastir është me shumë rëndësi dhe jam i interesuar, që sa më shumë njerëz të mësojnë të lexojnë rrjedhshëm shqip.” (6 nëntor 1886)

Për herë të parë në fund të tetorit 1886 A. Tomsoni i parashtroi Gjerasimit çështjen e alfabetit. Botimet toskërisht të Kristoforidhit ishin me një alfabet të përshtatur me shkronja greke. Këtë e jepte mësim Gjerasimi. Por ishin bërë pesëmbëdhjetë vjet që po përhapej alfabeti i Stambollit. “Do të jetë e nevojshme që për një periudhë jo të shkurtër të jepen mësim të dy alfabetet, edhe në rast se alfabeti i ri do të sanksionohej nga qeveria… Është e dëshirueshme, në rast se do të bëhej e mundur, të kishte vetëm një alfabet për të gjitha gjuhët, ndërsa alfabeti ynë i gegërishtes është pjesë e atij që është propozuar si i tillë nga studiuesi gjerman Lepsius.” Dhe shton më tej: “Jam shumë i kënaqur që i hodhëm hapat e parë në Manastir të shoqëruar nga vëllezërit amerikanë dhe nuk dua të heq dorë nga një qendër e tillë. Por popullsia shqiptare nuk është e shumtë, kurse rruga për Shqipëri është me rreziqe.” Kështu mjaft shpejt u shfaqën shenjat se veprimtaria në Manastir, ndonëse si një fillim i mirë, sidoqoftë do të mbetej e kufizuar, ndërsa do të kishte shtrirje më të madhe në Shkodër për pjesën veriore të vendit, kurse qendra për jugun duhej të ishte në Korçë. Për Gjerasimin dolën kështu dy drejtime të reja: të ndërtonte fillimet e veprimtarisë në Korçë dhe të punonte për kalimin e botimeve të mëparshme në alfabetin e Stambollit.

Nga fundi i vjeshtës 1887 Gjerasimi vizitoi Korçën. Por në javën e fundit të nëntorit 1888 autoritetet osmane të Manastirit i bastisën shtëpinë, ia vulosën gjithë materialet, duke përfshirë edhe dorëshkrimin e Mateut që po e përshtaste. Me nxitjen e klerit grek valiu i Manastirit u betua me këtë rast, se do ta bënte shitjen e librave shqip aq të vështirë dhe të kushtueshme, saqë Shoqëria Biblike të detyrohej të hiqte dorë nga ajo punë. Vetëm në mesin e vitit 1889 Gjerasimi mundi të punonte në Bukuresht për botimet e reja me alfabetin e ndryshuar, madje atje pati si ndihmës Jani Vreton. Ndërkohë Berdi i misionarëve amerikanë kishte nisur të mësonte edhe vetë shqipen, kështu kishte mundësinë të bashkëpunonte me Gjerasimin. Tomsoni ishte i shqetësuar, sepse kishte zbuluar që Kristoforidhi ishte mbështetur në versionin e Septuagintës për Psalmet, prandaj u kërkoi të dyve më 1890 ta ndreqnin botimin e mëparshëm. Tashmë protestantët blenë në Manastir tokën për të ngritur një kishë ungjillore dhe Gjerasimi u dorëzua si ungjilltar në prill. Pas dy javësh u shpërngul në Korçë dhe kështu mori fund puna e tij, bashkë me mësimin e shqipes në Manastir. Vitet e fundit të jetës së tij në shërbim të shkollës shqipe në Korçë janë përshkruar hollësisht në historinë e arsimit shqiptar. Edhe e motra, Sevastia, pas mbarimit të shkollës në Stamboll u kthye në Manastir dhe në tetor 1891 kaloi gjithashtu në Korçë.

Disa atentate u kurdisën kundër Gjerasimit, por edhe atij vetë iu rëndua sëmundja dhe u kthye në Manastir, ku vdiq më 2 janar 1894. Me këtë mbyllet edhe një etapë e punës me shqipen në Manastir. Hauard Shipli, nënkonsull britanik në Manastir, mes të tjerash më 25 mars 1893 i ka shkruar konsullit Blant në Selanik: “Kjo nismë si përpjekje për ndërthurjen e lëvizjes fetare me lëvizjen për qëllime laike që të zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe mund të sjellë më shumë të mira se të këqija…” Ky është një përfundim për mëdyshjen e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy anëve: fetare dhe atdhetare, të përfaqësuara nga veprimtaria e të huajve dhe e atdhetarëve shqiptarë. Nënkonsulli vijon, duke vënë në dukje se përpjekjet e z. Qiriazi, veçanërisht në anën mësimore, gëzojnë përkrahjen e madhe të Misionit Amerikan në Manastir. Për më tepër, edhe shkollat në krahinën e Korçë e të Kolonjës nuk kanë asnjë mbështetje tjetër nga jashtë, veç përkrahjes së Misionit Amerikan të Manastirit, duke mos përjashtuar disa ndihma të pakta nga Komiteti shqiptar i Bukureshtit. Sipas nënkonsullit, Qiriazi dhe miqtë e tij janë përpjekur të fitojnë të drejtën e lirisë së shprehjes së adhurimit fetar në gjuhën shqipe.

Menjëherë Gjerasimin e zëvendësoi i vëllai, Gjergji, si mbikëqyrës i shitjes së librave në fillim në Korçë e më pas në Manastir. Gjergji gjithashtu kishte mbaruar kolegjin e Samokovit dhe ishte ndihmës i Gjerasimit për gjithë punën në Korçë. Nga ana tjetër, Tomsoni kujdesin kryesor e kishte te rishikimet e nevojshme për botimet e reja. Pikërisht me vdekjen e Gjerasimit përmend për herë të parë Thanas Sinën, por në fillim propozoi ta dërgonte librashitës në Manastir nën mbikëqyrjen e Berdit, si një provë për të parë “a mund t’u bënte ballë përndjekjeve nga valiu i Manastirit, Faik Pasha.” Sina kishte dhënë mësim tre vjet në shkollën shqipe për djem të Korçës, kishte qenë sekretar i “Vëllazërisë ungjillore” të themeluar nga Gjerasimi më 1892 nën mbrojtjen e BFBS dhe prandaj do të bashkëpunonte fare mirë me Gjergjin, duke përtërirë gjurmët e Gjerasimit.

Viti 1896 u shënua nga dy ngjarje, të lidhura me temën e këtushme. Sulltani shpalli dekretin “Mbi reformat në vilajetin e Rumelisë”. Në këtë kuadër një vit më pas Shoqëria “Dituria” miratoi një memorandum dërguar Portës së Lartë dhe Fuqive të mëdha në Stamboll, ku mes të tjerash kërkohej që të ngrihej një vilajet i vetëm shqiptar me kryeqytet Manastirin. Me sa duket, kjo ide ka qenë prapa asaj lëvizjeje të shumanshme, e cila orientohej drejt Manastirit në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX. Manastiri ishte kryeqendra e një vilajeti me shumicë shqiptare, pavarësisht se si qytet nuk kishte shumicë të popullsisë shqiptare. Ngjarja tjetër ka qenë dalja në pension po atë vit e A. Tomsonit, i cili u zëvendësua nga T. R. Hodgson (Hoxhsoni). Në një farë mënyre bashkë me të mbyllej faqja e Kristoforidhit dhe e Gjerasimit. Është domethënëse që po atë vit Gjergji nisi transkriptimin e dorëshkrimeve të Kristoforidhit në alfabetin e ri.

Konsullata e Austro-Hungarisë në Manastir në fillim merrej edhe me interesat britanikë dhe prandaj nuk është e rastit që Gjergji bashkëpunonte me të (prej 1 marsit 1905 ishte dragoman honorar i saj). Emri që del më dendur në dokumentacionin për Shqipërinë është ai i konsullit A. Kral. Në mesin e vitit 1901 ai dëshmon se Qiriazi dhe Sina përdornin në shkollën e tyre alfabetin e Stambollit. Pikërisht atij i ra në dorë një kopje e “Gjahut të malësorëve” të Kristoforidhit, të cilën e dërgoi në Vjenë dhe u botua më pas te “Albania” e F. Konicës. Gjergji ndërmori edhe transkriptimin e Fjalorit të K. Kristoforidhit me alfabetin e Stambollit dhe arriti të përfundonte një të tretën e shkronjave. Ai ka marrë pjesë drejtpërdrejt në problemin e madh të botimit të Fjalorit të Kristoforidhit, që u kthye në çështje ndërkombëtare derisa doli nga shtypi në Athinë më 1904. Edhe këtë temë, bashkë me dokumentimin përkatës, e kam trajtuar hollësisht në punimet për Kristoforidhin dhe nuk ka nevojë të rimerret këtu.

Nuk është vendi këtu gjithashtu për të shtjelluar formimin e Komitetit për Lirinë e Shqipërisë më 1905, të ngritur nga Bajo Topulli, ku bënte pjesë edhe Gjergj Qiriazi. Në statutin e tij përmbahej edhe një pikë “për të ngjallturit e Shqipërisë“ duke përhapur udhën e qytetërimit me anë të librave që do të shtypeshin. Ky Komitet nisi të luante rolin e qendrës për të gjitha viset shqiptare, si dhe vendosi marrëdhënie me shoqëritë atdhetare në vendet e huaja. Më pas, nga përndjekjet, qendra u shpërngul në Bukuresht dhe në Manastir mbeti vetëm një komitet lokal.

Ngjarjet e vrullshme të vitit 1908 në Perandorinë Osmane lidheshin drejtpërdrejt me vilajetin e Manastirit. Menjëherë me pranimin e rivendosjes së rendit kushtetues nga sulltani, ditën e fundit të korrikut 1908 u themelua Klubi “Bashkimi” dhe sipas shembullit të tij u ngritën klubet në qytete të tjera të Shqipërisë. Ky Klub u kujdes që mësimi i shqipes të përhapej edhe në Ohër, Strugë, Dibër. Prej punës së tij bëhet e qartë se veprimtaria për shqipen në Manastir nuk ka qenë e kufizuar, por ka rrezatuar edhe në viset e tjera shqiptare.

Për Kongresin e Manastirit më 1908 ka një literaturë të gjerë, ndërsa me rastin e njëqindvjetorit të tij kam botuar një libër, Rreth alfabetit të shqipes, ku kam sjellë trajtime të reja, duke u mbështetur në burime dokumentare të panjohura deri atëherë. Megjithatë, nuk mund të mos përsëritet këtu një fakt me rëndësi parësore: kërkesa imperative për një alfabet të vetëm kombëtar lidhej ngushtë me punën madhore për hapjen e shkollave shqipe dhe për botimin e librave shkollorë. Klubi i Manastirit mori vendimin për ngritjen e një shtypshkronje. U formua “Shoqëria botonjëse letrare”, që të mblidhte të hollat e nevojshme për shtypshkronjën, arkëtar i saj ishte Gjergj Qiriazi. Shtypshkronja e nisi punën më 1 shtator 1909. Tashmë Manastiri u bë qendra e botimit të librave shqip dhe të shtypit shqiptar. Botimi i parë i saj ishte gazeta “Bashkimi i Kombit”. Pastaj e pati radhën Abetarja e Parashqevi Qiriazit, që u pasua nga një varg tekstesh të tjera shkollore. Një vëllim të madh botimi kanë zënë edhe përkthimet fetare tashmë të rishikuara nga Gjergj Qiriazi dhe Thanas Sina. Ajo u mbyll përkohësisht nga përndjekjet e autoriteteve osmane, por u rihap në fund të vitit 1910. Periudha e punës së shtypshkronjës mund të quhej stina e fryteve të pasura të veprimtarisë për shqipen në Manastir.

Viti 1908 ka qenë jo vetëm viti i ngjarjes së madhe për alfabetin e shqipes, por edhe kulmi i gjithë veprimtarisë shqiptare në Manastir. Megjithatë, rrethanat ndërkombëtare po ndryshonin me shpejtësi. Dihet se vetëm pak vite më vonë do të shpërthenin luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore. Ato ngjarje tronditëse veçanërisht për Perandorinë Osmane u përgatitën pikërisht pas rivendosjes së kushtetutës osmane. Atdhetarët shqiptarë e ndiqnin me vëmendje të veçantë ndryshimin e skenarit ballkanik. Në këto rrethana, duke punuar për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, te atdhetarët po piqej mendimi, se kryeqyteti i ardhshëm do të ishte Elbasani për shkak të pozitës së tij gjeografike. Rivali tjetër i Manastirit, Korça, po për ato arsye përjashtohej. Një mendim i tillë do të shoqërohej natyrshëm edhe me një varg idesh të tjera, që lidhen me qendrën e një shteti. Për pasojë, roli i Manastirit do të zbehej me shpejtësi. Nuk ishte e rastit që në shtator 1909 u mbajt Kongresi i Elbasanit dhe aty u hap Normalja. Disa nga problemet e Manastirit u shpërngulën në Elbasan. Tashmë ishte Elbasani që ngarkoi Klubin e Manastirit të nxirrte lejen që gjuha shqipe të përfshihej zyrtarisht në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Por njëkohësisht Klubit të Manastirit iu caktuan vetëm dy vjet të tjerë për të qenë në krye të lëvizjes. Meqë Shkolla Normale do të bëhej vatra nga do të përhapej varianti i përbashkët i gjuhës së shkruar shqipe, u përvijua e mprehtë çështja e variantit letrar. Për këtë kam mbajtur një kumtesë me rastin e njëqindvjetorit të Normales,por këtu e vlen të theksohen pasojat që patën për Manastirin këto hapje të reja.

Vendimet e Kongresit të Elbasanit dhe zbatimi i tyre në Shkollën Normale e shtronin në një dritë tjetër vazhdimësinë e botimeve të BFBS. Robert Tomsoni, kryetar i Bordit Amerikan, më 25 prill 1911 nga Selaniku i shkroi T. Hoxhsonit në Stamboll, se tashmë gjuha e botimeve duhej të mbështetej në dialektin e Elbasanit, që do të vihej në bazë të standardit kombëtar. Edhe misionarë të tjerë amerikanë në Shqipëri (i pari ishte Finias Kenedi në Korçë më 1908) e shtruan kërkesën për të folmen e Elbasanit. Në fillim Hoxhsoni i priti këto me këmbët e para si ndërhyrje në punën e gjatë të Shoqërisë së vet. Misionari tjetër amerikan, T. Erikson e sulmoi hapur botimin e Ungjijve në Manastir më 1910, duke shtuar se kishte dëgjuar nga drejtuesit e Normales dhe shqiptarë të tjerë, se flisnin rëndë për përkthimin. Ky konflikt ka vazhduar gjatë, madje me jehona deri edhe në botimet e sotme, ku ndihet një farë pakënaqësie e përkrahësve të BFBS për ndërhyrjet e misionarëve amerikanë.

  1. Hoxhsoni u detyrua të bënte një tërheqje të butë. Ai nisi kërkimet për të gjetur një vendës nga Elbasani që do të bashkëpunonte me Thanas Sinën. Por ngjarjet precipituan me shpejtësi. Që në fillim të vitit 1911 Komiteti i fshehtë i Manastirit kishte dhënë udhëzimet për forcimin e çetave të armatosura. Është interesante se ngjarjet në Shqipëri T. Hoxhsoni i ka formuluar me termin që shumë më vonë e ka përdorur historiografia jonë. Më 28 qershor 1912 ai ka shkruar: “Lajmet politike nga Shqipëria janë të këqija dhe duket se vendi është në prag të një kryengritjeje të organizuar e të përhapur gjerësisht.” (nënvizimi im – Xh. Ll.)

Me shpërthimin e Luftës Ballkanike në tetor 1912 serbët me shpejtësi e pushtuan Manastirin më 1913. Ai pushoi së qeni kryeqendër vilajeti dhe menjëherë e humbi peshën, gjë për të cilën serbët dhanë gjithë ndihmesën e tyre asimiluese. Njëkohësisht ndodhi edhe një ngjarje tjetër tragjike: Gjergj Qiriazi vdiq më 1913. Më 1914 familja u shpërngul në Vankuver të Kanadasë, ndërsa e bija, Viktoria, mblodhi dorëshkrimet më të rëndësishme dhe i mori me vete. Ndërmjet tyre Xh. Kuanrudi ka gjetur se janë edhe dy kopje të nënshkruara të dokumentit të Kongresit të Manastirit, të cilat duhen sjellë në Shqipëri. Kështu mori fund etapa e Qiriazëve në Manastir dhe bashkë me të edhe veprimtaria për shqipen.

Thanas Sina kishte marrë pjesë në përgatitjen e dorëshkrimeve për botimet në Manastir. Pas disa ungjijve të veçantë, më 1910 doli Dhiata e re, pastaj disa libra të veçantë nga Dhiata e vjetër deri më 1914. Më 28 maj 1914 T. Hoxhsoni e sheh se me shpalljen e pavarësisë ishte e detyrueshme që ta shpërngulte shtypshkronjën në Korçë dhe në maj 1915 puna u ndërpre. Pas Luftës së Parë Botërore puna për përgatitjen dhe përhapjen e botimeve fetare të përkthyera në gjuhën shqipe u shkëput nga agjencia e BFBS në Stamboll dhe kaloi në varësi të agjencisë në Beograd. Nuk mund të mos citoj një letër të përgjegjësit të atjeshëm, J. W. Wiles, dërguar Londrës më 2 tetor 1920: “Deri më 1912 Manastiri ishte një farë Meke maqedonase, tashti është një qytet i vogël krahinor në Serbinë jugore. Toleranca e plogësht e turqve u largua dhe i ka lënë vendin nacionalizmit serb.” Shtypshkornja ishte shkatërruar, por ai vijon, se edhe po të ishte më këmbë, qeveria serbe kurrë nuk do ta lejonte një punë të tillë, si shtypja e Biblës shqip në Manastir. Madje shton në mbyllje, se ka pasur përleshje të përgjakshme midis serbëve e shqiptarëve kohët e fundit.

Përfundimisht më 29 gusht 1921 Sina vajti në Manastir për të sjellë librat e mbetur dhe depozita u mbyll. Më 1981, pas kërkimeve të gjata, e gjeta në Korçë familjen, te e cila ishin grumbulluar të gjitha materialet e Shtypshkronjës së Manastirit. Sipas dokumentimit, aty duhej të ishin edhe dorëshkrimet e Kristoforidhit të pabotuara, edhe letra e dorëshkrime të rilindësve të tjerë të shquar. Por familja korçare i kishte shitur të gjitha ato si letër të thjeshtë për të liruar dhomën. Hetova deri te dyqani i blerësit të letrave, dhe ai më pohoi se i kishte ardhur një araba me libra e materiale të tjera, të cilat i kishte blerë sipas çmimit të atëhershëm për një kilogram letër. Prej aty ishin transportuar në Fier për t’u grirë që të ktheheshin në karton.

DEKLARATË E GJERASIM QIRIAZIT                       

Stamboll, 19 prill 1884

Duke pranuar emërimin nga BFBS si depozitar dhe përgjegjës i librashitjes në Manastir ose në Korçë, në rast se njëri prej këtyre qyteteve do të quhet i parapëlqyer, po paraqes shpjegimet e mëposhtme lidhur me atë, se çfarë i shoh si detyrat që më takojnë.

  1. Të mbaj Depozitën e Shkrimeve të Shenjta, që do të më besohet për ta pasur në kujdes.
  2. Të dërgoj librashitës në udhëtime të përgatitura me kujdes, duke i furnizuar me Shkrime dhe me gjërat e tjera të nevojshme, të mbaj llogaritë e tyre dhe t’i raportoj të paktën një herë në muaj përfaqësuesit të Shoqërisë, ndërsa çdo tremujor të shlyej llogaritë e librave.
  3. T’u bëj vizita njerëzve në Manastir, në veçanti mes popullsisë shqiptare, t’u paraqes atyre kopje të Biblës dhe t’u tregoj për detyrën që të mësojnë e ta kenë Fjalën e Zotit, t’i ftoj për të vizituar Depozitën, në rast se do të jetë në shtëpinë time. Po të vendoset depozita në një dyqan, do të jetë detyra ime të qëndroj atje, të themi dy orë në ditë, për të takuar vizitorët dhe për t’i njohur me kërkesat e mësipërme.
  4. Të ndërmarr udhëtime sa herë ta shoh të nevojshme, duke u larguar nga Depozita, dhe të shoqëroj librashitësin, pasi gjendja e tanishme e vendit e bën këtë të kërkueshme, në mos po të domosdoshme.
  5. Të shfrytëzoj çdo mundësi për t’u shpjeguar njerëzve nga të gjitha kombësitë, se në kushtet e tanishme, kur asnjë arsimim për vullnetin e Zotit nuk jepet në kishë, është detyrë e cilitdo që kërkon t’i shërbejë Zotit, të ketë dhe të studiojë me kujdes Fjalën e shkruar, si dhe të mënjanojë të gjitha kundërshtimet e tanishme mes njerëzve kundër Shoqërisë dhe botimeve të saj.

I marr përsipër këto detyra që t’i plotësoj besnikërisht dhe me ndihmën e fuqisë hyjnore.

Gj. D. Qiriazi.