Shkup, 11 qershor – Të martën e ardhshme në Kalanë e Shkupit organizohet takim letrar, informon Gazeta Koha. “Kush do që të largohet për një çast nga brengat e përditshmërisë, zbrazëtisë të cilën na e imponon sipërfaqësorja që shpesh e kaplon jetën tonë, kush dëshiron ta shijojë mrekullinë e gjuhës shqipe të shprehur përmes vargjeve e krijimtarisë letrare, kush do që ta dëbojë zbrazëtinë shpirtërore duke e zëvendësuar me fjalën artistike shqipe, kush do që të argëtohet e të kënaqet pak në këtë kohë të vapës së qershorit, le të urdhërojë në takimin letrar SHKUPI LEXON III”, thuhet në thirrjen e Qendrës Kulturore Informative (QIK) – Shkup.
Manifestimi do të mbahet më 19 qershor (e martë) në orën 18, në parkun përfund Kalasë së Shkupit.
Projektin SHKUPI LEXON III e ka përgatitur poetesha Lindita Ahmeti.