Hanoi, 4 prill – Punonjësit qeveritarë vietnamezë janë paralajmëruar se nuk do të mund të organizojnë më dasma të shtrenjta dhe ekstravagante, njoftoi sot media zyrtare vietnameze.
“Familjet e nuses dhe dhëndrrit nuk duhet të ftojnë më shumë se 600 mysafirë apo të zhvillojnë dasma në vende të shtrenjta si hotele me 5 yje apo resorte”, raportoi gazeta vietnameze online “Vnexpress” duke cituar një dekret të Komitetit Popullor në Hanoi, transmeton atsh.
“Punonjësit e qeverisë dhe anëtarët e Partisë Komuniste duhet të japin një shembull të mirë në dasmat e tyre duke mos e ekzagjeruar “, sipas dekretit.
Çdo punonjës i qeverisë që bie në kundërshtim me direktivën do të dënohet, megjithëse nuk është bërë ende e qartë se si do të jetë ndëshkimi për ata që shkelin vendimin.