Tek po i dëgjoj panda-lajmet ditore se si nga maja e piramidës qeveritare, funksionari i dikurshëm ose i tanishmi mund të mbarojë në burg, u kujtova në mësimet e profesorit nga Harvardi! Të qeverisësh me fatet e njerëzve është puna më e vështirë, por një qeverisje që vazhdimisht arrin t’i ikë sfidës së pasurimit të brenda natës, për kontekstin ku jetojmë sot, për mua do ishte një fillim i një qeverisjeje te mbarë. Tjerat…vijnë më vonë!
Nga Adelina MARKU
Me sa duket është sfidë e madhe qeverisja e mirë ! E them këtë ngase ajo e keqja din të kthehet si një zhgjandër e zhgënjim i madh për individin që e mban postin, por edhe për rrethin e shoqërinë /shtetin vetë! Në të shumtën e rasteve kemi patur zhgënjime të rënda, të cilat janë kthyer si bumerang të rënda. Prandaj, pothuajse rrallëkush në këtë nënqiell beson në qeverisjen e mirë! Për më shumë, askush nuk na mëson se çka qenka qeverisja e mirë…? Pse , paska ideologji mbi qeverisjen e mirë?! Sigurisht që ka dhe është e thjeshtë për t’a kuptuar sepse bazohet në fuqinë e individit , në dëshminë për arritjen e rezultateve dhe llogaridhënien! Ka disa shkolla nëpër botë që mësojnë për qeverisjen e mirë e një nga to është edhe ajo e Harvardit. E kjo është shkollë e cila mëson panda se si qeveriset një shtet me traditë mbi 200 vjeçe. Flitet, si të qeveriset më mirë! Qeverisjen e mirë me gjasë duhet t’a kuptojmë si patriotizmin modern sot, ose si prindërimin e mirë.
Pra , çka bëj unë që fëmija im të jetojë më mirë! A e tejkaloj mjaftueshëm egocentrizmin personal dhe si? E pyetje tjera të këtij lloji të cilat jo aq me doemosdo i shohim si të nevojshme para pasqyrave personale . Sepse , fatkeqësisht , preokupimi i shumicës nga ne është i natyrës së xhelozisë primitive e prandaj më shumë duam të dimë për fatet e njerëzve ( si në seritë turke) se sa për fatin e familjes sonë e ardhmërinë e saj! E këtu nis dhe gabimi… , për të mos marrë leksione nga ai , asnjëherë! Tek ne, mund të mësohet çdo gjë por vetëm nga kjo përvojë e keqe, nuk mëson kush. E keni menduar ndonjëherë këtë gjë? Pra, përse nuk mësojmë nga gabimet e qeverive që kanë qeverisur keq? E di, shumica nga ju mendoni se, ah, çdo gjë bëheshka për një qëllim të caktuar, tip megali-ideje! E unë do jua lehtësoj këtë ngarkesë të kotë që i krijoni vetes e fantazisë tuaj! Jo jo, nuk ka nevojë për konspiracion, madje as për teori komploti – e tipit se çdo gjë bëhet me një qëllim të caktuar e që do të poshtëronte përkatësinë tënde! Përgjigja qëndron tek mënyra si qeveriset: mirë ose keq! Pra, qëllimi final qëndron tek pyetja sublime që thotë: përse të komplikohet kur mund të thjeshtësohet.
Ky është edhe konstatimi im do thosha, nga e gjithë kjo përvojë në administratë shtetërore por edhe nga prespektivat kontekstuale që i krijojnë qeverisjet në radhë. Forca është tek njeriu megjithatë! Nuk ka superfuqi e as mistere mbinatyrore që menaxhojnë me fatet e shteteve e shoqërisë. Sepse shteti nis në familje! Çdo gjë nis e mbaron me njeriun. Konstatimi im është se qeverisja e mirë është si prindërimi i mirë! Mendojeni më thellë dhe do më jepni te drejtë ndoshta! Përfaqësuesit/ ata që mbajnë poste qeveritare, kryesisht mësojnë mbi Qeverisjen në momentin që bëhen të deleguar qeverie e ky është një gabim kardinal që vazhdon të përsëritet në këtë nënqiell, posaçërisht tek partitë shqiptare. Jopërvoja të krijon frikë dhe autoritet të rrejshëm në parim! Clayton M. Çhristensen i Harvard Business Sçhool është një nga emrat me zë të shkollës së menaxhimit në Universitetin e Harvardit. Ai i mëson MBA aspirantët se si të aplikojnë teori menaxhimi dhe risi për të ndërtuar kompani më të forta/ shoqëri më të forta. Por ai beson gjithashtu se këto modele mund të ndihmojnë njerëzit të bëjnë jetë më të mirë. Në mësimet e tij, ai shpjegon se: “Si të vlerësohet e matet jeta jonë”, Janë tre pyetje te arta – thotë profesori, sidomos për ata të cilët marin mbishpinë përgjegjësi të mëdha shtetërore: Si mund të jem i lumtur në karrierën time? Si mund të jem i sigurt se marrëdhënia ime me familjen time është një burim i qëndrueshëm i lumturisë? Dhe si mund ta jetoj jetën time me integritet, duke mos përfunduar në burg?
Përgjigja e pyetjes së parë vjen nga pohimi i Frederik Herzbergut se motivuesi më i fuqishëm nuk është paraja; është komplet diçka tjetër. Pra është mundësia për të mësuar, për t’u rritur në përgjegjësi, për të kontribuar dhe për t’u njohur. Këto janë sfidat e një profesionisti e lideri. Kjo është arsyeja pse menaxhimi, nëse praktikohet mirë, mund të jetë profesioni më fisnik! Ashtu edhe qeverisja e mirë, që mund të jetë një përgjegjësi fisnike. Pra le t[a kuptojmë edhe kështu se, suksesi i një kompanie nuk ka të bëjë me blerjen, shitjen dhe investimin në kompani, siç mendojnë shumë nga ne, por ka të bëjë me matjen e asaj se sa të lumtur ajo kompani i bën të punësuarit e vet dhe si e zgjeron këtë aurë kënaqësie në produktivitet për të tjerët. Suksesi yt, pra thotë profesori, qëndron tek kënaqësia e tjetrit/tjetrës.
E dyta, e që ka të bëjë me lumturinë në familje është poashtu një parametër që matet. Nëse shtëpia/familja është burim i mjaftueshëm i kënaqësisë personale , parametrat e suksesit në punë janë shumë më të larta tek ai /ajo që rritet në një ambient familjar të shëndoshë . Çdo rrëshqitje nga kjo performansë, tregon për nxitje të ambicieve të sëmura dhe qëllimeve të cilat kanë çmim të lartë për jetën tënde. Dhe këtu vij tek momenti kyç e që ka të bëjë me pyetjen : si mund ta jetoj jetën time me integritet, duke mos përfunduar në burg? Kjo pyetje , është kapitalja për qeverisjen e mirë, prindërimin e mirë!
Tek po i dëgjoj panda-lajmet ditore se si nga maja e piramidës qeveritare, funksionari i dikurshëm ose i tanishmi mund të mbarojë në burg, u kujtova në mësimet e profesorit nga Harvardi! Të qeverisësh me fatet e njerëzve është puna më e vështirë, por një qeverisje që vazhdimisht arrin t’i ikë sfidës së pasurimit të brenda natës, për kontekstin ku jetojmë sot, për mua do ishte një fillim i një qeverisjeje te mbarë. Tjerat…vijnë më vonë!
Qeveritarëve ua rekomandoj fuqishëm mësimet e profesorit! Sa për t’i ikur burgut fillimisht!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)