Të dy partitë kanë përmendur edhe mos realizimin e premtimeve për shkollën në fshatin Reçicë të Vogël, rrugët me gropa, qentë endacak, mungesën e parkingjeve, kaosin në trafik…
Urim HASIPI
Tetovë, 31 tetor – Pasi në Këshillin mbikëqyrës të ndërmarrjes publike “Tetova Transport”, u propozuan persona të cilët, sipas opozitës janë anëtarë të BDI-së dhe PDSH-së, këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA lëshuan seancën e Këshillit të Komunës së Tetovës. Pasi në votimin e parë, pika shtesë e propozuar për të qenë pjesë e rendit të ditës, nuk mori mbi 15 vota, kryetari i Këshillit dha 5 minuta pushim. Më pas në seancë u shfaqën 28 këshilltarë, dhe kjo i mundësoi kryetarit të Këshillit të vendos sërish në votim këtë propozim që kaloi me 15 vota pro. Mjaftoi kjo situatë që këshilltarët e opozitës të braktisin sërish seancën. Sipas tyre, përvoja e deritanishme ka treguar se në ato ndërmarrje ku janë vendosur borde mbikëqyrëse partiake, ndërmarrjet kanë punuar me humbje.
“Në seancën e 25-të, në shenjë revolte e lëshuam sepse na u propozuan emrat e dy këshillave mbikëqyrës të ndërmarrjes për transport, që ishin emra të BDI-së dhe PDSH-së e që janë shumicë në Këshillin e komunës. Nuk ishin emra të opozitës apo të jashtëm. Si do e mbikëqyrin ndërmarrjen duke patur parasysh historinë e ndërmarrjeve tjera, të cilët punojnë me humbje dhe borxhe, sepse aty nuk ka anëtarë të jashtëm që të tregojnë se pse punojnë me humbje. I njëjti avaz vazhdon edhe në ndërmarrjen që është në themelim e sipër dhe në të ardhmen, nuk do të dihet se pse punon me humbje”, tha Besar Durmishi, këshilltar i Lëvizjes BESA. Edhe Aleanca për Shqiptarët lëshoi mbledhjen pikërisht për këtë shkak. Këshilltari i kësaj partie, Arif Selami, tha se dy këshilltarët që ishin në sallë në votimin e dytë, nuk ishin të pranishëm për shkak të marrëveshjes me shumicën në këshill.
“Ato emra që ishin aty, ishin të pushtetit që është shumicë në Këshill, pra BDI-së dhe PDSH-së dhe ne nuk u pajtuam me këtë, sepse një përvojë e këtillë që brenda ndërmarrjeve publike të ketë anëtarë partiak, gjithmonë do të ketë një udhëheqje pa dhënë llogari. Gjatë seancës, dy këshilltarët që nuk votuan për, lëshuan seancën që ndodhi aty për aty për shkak të marrëveshjes së shumicës dhe pastaj u bë forumi për votim dhe neve nuk ka pëlqeu kjo mënyrë dhe e braktisëm seancën”, tha Selami. Arsyetimi i kryetarit të Këshillit, Bekim Memeti, për nevojën urgjente të votimit të bordit të ndërmarrjes ishte sepse, siç tha ai, duhet të respektohet afati prej 90 ditësh që ndërmarrja të marrë vërtetim nga Regjistri qendror. Seanca edhe pa këshilltarët e opozitës vazhdoi, ndërsa këshilltarët e VMRO-DPMNE-së nuk e lëshuan sallën, por votuan kundër në të gjitha pikat e rendit të ditës. Në ndërkohë, të njëjtit këshilltarë kanë akuzuar kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, për punën e saj dyvjeçare. Sipas tyre, kryetarja Arifi nuk ka përmbushur premtimet e saja të dhëna dy vite më parë. Besar Durmishi, këshilltar i Lëvizjes BESA tha se kryetarja e Tetovës nuk ka bërë asgjë sa i përket përmirësimit të infrastrukturës së qytetit.
“Ndërtimi i urës në fshatin Brodec që ende nuk është i përfunduar, hapja e bulevardit ‘Bllagoja Toska’ ende i pafilluar, ndërtimi i rrugës në Reçicë të Vogël e prishur nga vërshimet e vitit 2016, ndërtimi i një rrethrrotullimi tek udhëkryqi ndërmjet Bulevardit në rrugën ‘Industriale’ dhe rrugën ’29 Nëntori’, gati një vit ka kaluar në Këshill, ndërsa ende nuk kanë filluar punimet. Mbledhja e mbeturinave problem ende i pa zgjidhur, posaçërisht gjatë kohës së verës kur i kemi edhe mërgimtarët dhe shumë premtime të tjera as që janë në fazën fillestare”, tha Durmishi.
Ndërkaq, Arif Selami, këshilltar i Aleancës për Shqiptarët, tha se, edhe pse si opozitë reagojnë në seancat e Këshillit, megjithatë kjo nuk bën e nevojshëm për shkak se pozita ka shumicë. “Qytetarët në këtë mandat të dytë të kryetares Arifi kanë pritur hapje të bulevardeve, atë ‘Bllagoja Toska’, hapja e bulevardit ‘V.S BATO’. Kishim premtime për një Tetovë më të pastër, kurse Tetova vazhdon të jetë e ndotur dhe e ngufatur me mbeturina. Kishim premtime për parkingje në kate që nuk i kemi. Kishim premtime për hapësira të gjelbërta, kemi uzurpime të hapësirave publike, praktikë që vazhdon edhe në këtë mandat. Vazhdon mosinteresimi për Kodrën e Diellit, sidomos për pjesën e vikend shtëpizave ku nuk ka infrastrukturë të rregulluar”, tha Selami.
Të dy partitë kanë përmendur edhe mos realizimin e premtimeve për shkollën në fshatin Reçicë të Vogël, rrugët me gropa si dhe kaosin në trafik. Në ndërkohë, nga Komuna informojnë se këtyre ditëve pritet që kryetarja Teuta Afiri të dalë dhe të jap llogari për punët e kryera gjatë dy viteve të kaluara. (koha.mk)