Qeverisja me shumë nivele është modeli më i avancuar dhe më funksional qeverisës në vendet e BE-së, që do të duhej jetë në vëmendjen e gjithë deputetëve dhe ministrave shqiptarë, ku shqiptarët do të ngritnin kapacitet e tyre institucionale e ekonomike dhe në bashkëpunim me subjekte të ndryshme në diasporë, por edhe me komuna të ndryshme në Kosovë e Shqipëri, do të mund të krijonin një “komonvelt shqiptar”, në kuadër të bashkëpunimit rajonal pa cenuar sovranitetin e shteteve
Nga Emin AZEMI
Në fazën kur Maqedonia e Veriut ndodhet në prag të formimit të legjislaturës së 10-të dhe formimit të një Ekzekutivi me shumë parti që do t’i japin vendit stabilitet politik e social, shqiptarët si faktor i rëndësishëm koheziv, pa të cilët nuk mund të krijohet asnjë, duhet të ngrejnë nisma që bazohen në Rezolutën “Mbi kartën për qeverisjen me shumë nivele në Europë” (“Charter for Multilevel Governance in Europa”. Rezol-V-012), miratuar nga Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Europian (KRBE). Në këtë dokument, KRBE u bën thirrje autoriteteve publike të të gjitha niveleve të qeverisjes (lokale, kombëtare dhe europiane) për të përdorur dhe për të promovuar qeverisjen me shumë nivele (MAPL) në reformat e tyre të ardhshme. Qysh në nenin 1 të kësaj karte të thuhet: “Duke pasur parasysh se shumë kompetenca dhe përgjegjësi janë të përbashkëta në mes të niveleve të ndryshme të qeverisjes në Bashkimin Europian, ne shohim nevojën për të punuar së bashku e në partneritet, për të arritur kohezion më të madh ekonomik, social dhe territorial në Europë. I vetëm asnjë nuk mund të përballet me sfidat me të cilat po ndeshemi…”.
Pra, qeverisja me shumë nivele është modeli më i avancuar dhe më funksional qeverisës në vendet e BE-së, ndërkohë që reformat në zhvillim, në këto vende ( si Franca, Italia, Gjermania etj.), synojnë jo heqjen dorë prej këtij modeli, por pakësimin e numrit të njësive për të rritur efiçensën dhe ulur shpenzimet. Këtë model duhet ta ndjekë edhe Maqedonia e Veriut, kurse shqiptarët duhet të jenë promotorët kryesorë të tij. Pra, tendenca duhet të jetë rajonizimi, jo vetëm brenda-territorial por edhe përtej-kufitar, çka nënkupton marrëveshjet ndërkufitare e ndër-rajonale, duke krijuar një “multipartneritet”, që bashkon kulturat, traditat, universitetet e deri tek OJF-të në platforma dhe struktura të përbashkëta ose të bashkuara. Fundja kjo kërkohet dhe shprehimisht thuhet edhe në Kartën e Komitetit të Rajoneve të Bashkimit Europian “…ne respektojmë plotësisht legjitimitetin dhe përgjegjësinë e çdo niveli dhe parimin e bashkëpunimit të sinqertë”.
Përparësia e ndarjes në rajone të Maqedonisë (numri të përcaktohet mbi bazën e nevojave e resurseve njerëzore e natyrore), ku administrimi do të ndiqte modele mjaft të përparuar decentralizuese europiane, është në ngritjen e urave te bashkëpunimit me vende të Bashkimit Europian që kanë rregullim të ngjashëm administrativ e etnik si të Maqedonisë. Dokumenti “Karta për qeverisjen me shumë nivele në Europë”, do të duhej jetë në vëmendjen e gjithë deputetëve dhe ministrave shqiptarë, që do të shërbente si model në ridizajnimin e qeverisjes vendore në Maqedoni, ku shqiptarët do të ngritnin kapacitet e tyre institucionale e ekonomike dhe në bashkëpunim me subjekte të ndryshme në diasporë por edhe me komuna të ndryshme në Kosovë e Shqipëri, do të mund të krijonin një “komonvelt shqiptar”, në kuadër të bashkëpunimit rajonal pa cënuar sovranitetin e shteteve.
E drejta e rajonizimit territorial dhe e decentralizimit të plotë sipas standardeve integruese të BE-së, do të duhej të jenë prioritet i betejës politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ndërkohë që paralelisht me këtë duhet sforcuar përpjekjet për fuqizimin e statusit shteformues në të gjitha nivelet e pushtetit, kurse gjuha shqipe, një projekt duhet të del nga kthetrat e kuotave procentuale, duhet të jetë testi i parë i gatishmërisë për kooegzistencë etnike, politike ekonomike në mes të shqiptarëve, maqedonasve e të tjerëve.
Të bashkëqeverisës, nuk është asgjë tjetër pos shkëmbim projektesh që do ta bënin atë (bashkëqeverisjen) servis sa më funksional për qytetarët. Kryeministri i ardhshëm dhe politikanët shqiptarë duhet ta bëjnë këtë, sepse nuk besojmë se marrëveshjet e brendshme janë më të vështira se ato të jashtmet (me Greqinë, Bullgarinë), kurse zgjedhjet e fundit dëshmuan se qeverisja e vendit nuk do të mund të bëhet pa një bashkëpunim dhe konsensus më të gjerë në mes të shqiptarëve, maqedonasve dhe të tjerëve. Rrjedhimisht shteti nuk do të mund të jetë më asnjëherë servis vetëm i një etnie, me të gjitha derivatet negative që buronin nga kjo sintagmë. (koha.mk)