Ajo që askush nuk fut në kalkulatorin politik është baza mbi çfarë parimesh e vlerash do bëhet qeveria e re. Reflektimet që vijnë nga njerëzit, thonë se ata në vazhdimësi shohin mungesën e përgjegjësisë dhe sidomos veç interesat politike tek partitë gjatë diskutimeve për krijimin e qeverisë. Sa më thellë të futesh, kjo nënkupton individë pa vizion, pa dëshirë për punë, pa sens për zhvillim, pa përgjegjësi, pa turp. Njerëz që duan veç vulën e partisë ta kenë për prapa, parti e cila të jetë në qeveri,e që të realizojnë pangopësinë e tyre. Kalkulimet dhe manovrat për qeverinë nuk habisin më askënd, ato janë të lexueshme, do bëhej dallimi nëse kësaj here përgjegjësia e pushtetit dhe ndaj qytetarëve do merrej parasysh
Nga Nazim RASHIDI
Kudo ku shkoj dhe në të gjitha debatet dhe diskutimet, përveç se flitet për mundësitë e krijimit të qeverisë së re, dhe kush do jetë pjesë e saj, flitet edhe për pamundësitë e kanalizimit të një energjie që ka të bëjë me shqetësimet që sjell mungesa e përgjegjësisë së titullarëve dhe mbajtësve të posteve në të gjitha nivelet. Artikulimet janë të qarta se ka zemërim të madh për gjithë ato gjëra që nuk janë bërë e nuk po bëhen e që janë banale e të realizueshme. Po flitet ndër grupe e individë, të profileve të ndryshme edhe për atë se çfarë duhet bërë që të ndryshojë kjo përtaci e lodhshme, nga e cila qytetet janë shndërruar në rrënoja, ku ende flitet për mungesë rrugësh, uji, kanalizimi, shkolla, spitale…
Ka një energji në ajër e cila dëshiron t’i bjerë me grushta kësaj përtacie, që i shkon përshtati vetëm përfituesve banal me vulë partie, e të cilët pangopësinë e kanë arritjen më të madhe dhe e cila nuk i la e as i shtyu të paktën tu sjellin qytetarëve ca ndryshime të vogla, por që do të tentonin tua bëjnë jetën më të mirë. Po dëgjoj shumë se paaftësia e pangopësia është e mbështjellë fortë edhe me mungesën e vizioneve dhe prandaj si rrjedhojë disa titullarëve dhe postmbajtësve nuk u pengojnë rrugët e shkatërruara, mungesa e e rregullit, kjo edhe sepse presioni për përgjegjësi është vetëm disa javë para zgjedhjeve dhe pastaj gjithçka shuhet.
Në esencë përgjigjja do ishte te përgjegjësia. Një qeveri e përgjegjshme. Përgjegjësi ndaj njerëzve, përgjegjësi ndaj premtimeve, përgjegjësia ndaj përditshmërisë e cila s’duhet të jetë vuajtje dhe stres për qytetarët. Por kur jemi këtu, e meqë do krijohen institucionet e reja të ekzekutivit, a do merret parasysh ky element esencial në formimin e saj? Nga ajo që shohim në këtë fazë, më shumë bëhen “presione” të ndërsjella për përfitimin e pozicioneve në negociata. Dilema e parë është nëse do jetë ose jo BDI në qeveri. Kjo ka bërë rendjen e njoftimeve të verifikuara ose jo, që tentojnë të bëjnë normalitet konstatimet se numrat diktojnë realitetin dhe si rrjedhojë ky do jetë dhe përfundimi i kësaj faze.
Vrulli i njoftimeve të tilla, shërben edhe si një moment tejkalimi euforie që pastaj, siç ka ndodhur edhe më parë, njerëzve tu shitet më lehtë çfarë do rezultati si kompromisi i duhur. Megjithatë, ka dy momente që s’do jenë edhe aq lehtë të përtypshme. E para BDI do duhet ta sqarojë dhe argumentojë fortë mungesën e kryeministrit të parë shqiptar. Kjo sepse është e qartë, nga çfarë thotë LSDM, e ajo është se dihet kush to jetë kryeministri. Nga ana tjetër vetë Zoran Zaev, duhet të kafshojë gjuhën e tij, e të “paguajë” shtrenjtë deklaratat se shqiptarët e “BDI nuk vlen 5 para” që pastaj të sjellë atë kompromis bazuar në numrat e reja që sollën zgjedhjet.
Por a mund të jetë ky variant i vetmi? Duket më i thjeshti, por a ka opsione të tjera? Varianti tjetër në matematikat e kalkulimet e momentit përmendet edhe një qeveri me LSDM, ASH-Alternativës dhe deputetë të transferuar nga VMRO në fanellat e qeverisë “Zaev 2”.
Si do dukej një qeveri me “arna”? Në opinion, sidomos ai maqedonas, këto kalime deputetësh nga një anë në tjetrën, lanë imazhin e hidhur të politikës, ku parimet nuk vlejnë, por interesat. Ende nuk është harruar gjithë ajo situatë, kur deputetë të VMRO-së votuan ndryshimet kushtetuese, duke vulosur edhe më shumë ndjesinë, se nuk bënë kështu për shkak të bindjeve por për arsye të tjera. Të cilat arsye pastaj patën impaktin e vetë, në drejtësi, politikë, e përditshmëri e duke shkatërruar gjithë shpresën për përgjegjshmëri në politikë.
Por sërish, ata që mbështesin këtë ide, thonë se veç disa muaj vështirësi dhe arnat e qeverisë do të zhduken, sepse kolltukët e ngrohtë të pushtetit do e bëjnë të vetën, kurse nëse qeverisja sjell norma të tjera veprimi, edhe njerëzit do ta pranojnë. S’është që s’ka ndodhur edhe më parë, që memoria kolektive t’i harrojë situatat e vështira dhe jo etike që ka sjellë politika, por nëse ajo sjell progres kjo mund të bëhet edhe më shpejtë.
Pa diskutim që një skenar i tillë do sillte një opozitë të fortë, që në rrethana të vështirësive që do vijnë, si në ekonomi, ashtu edhe në shëndetësi, kush do e dëshironte? Por siç thonë dhe vetë politikanët, çdo vendim ka edhe një çmim. Shpesh këtë çmim më shumë e paguajnë qytetarët. Janë tejet të papranueshme dhe primitive këto tensione të fundit mes ASH dhe BDI. Përtej diskutimit se kush ka të drejtë, që sigurisht është shumë e rëndësishme, forma e përplasjes është aq e shekullit të kaluar sa konstatimi që çmimin më të madh për këtë regres politik e paguajnë vetë qytetarët është i betonuar.
Përplasjet në fakt krijojnë atmosferë mosbashkëpunuese, sepse do të ishte e mundur edhe një qeverisje mes LSDM, BDI, ASH-Alternativë. Nëse ndjek retorikën e ndërkombëtarëve që kërkojnë “qeveri stabile” dhe meqë aktualisht krijimi i qeverisë shihet nga perspektiva e numrave, atëherë ky do ishte stabiliteti i kërkuar.
Një qeverisje e tillë, sigurisht që s’do mund të bëhej pa kompromise, por kompromisi i madh mund të ishte rruga drejt BE-së, e cila pritet të fillojë dhe realisht do kërkojë punë të madhe. Në një konstalacion të tillë, postet nuk është se s’do ndahen dot, se siç e kemi parë, qeveria ka vend për të gjithë, por këtë mundësi e largon vetë politika kur shfaqet aq agresivitet mes partive. Një mundësi e tillë, do të thoshte një përulje nga të gjitha palët dhe ndërtimi i prioriteteve në interes të qytetarëve e jo kush çfarë posti do marrë. Por kjo duket më shumë një dëshirë e mirë, sidomos për njohësit e procesit të integrimeve, që vazhdimisht paralajmërojnë se do të duhet të vijë një periudhë jo e lehtë transformimi për çka realisht do të duhet një konsensus shoqëror në të gjitha nivelet e jo thjesht ndërt partiak. Përshtypja e krijuar me të drejtë deri më tani, është se interesi për të qenë qeveri, dominon çdo logjikë tjetër për partitë.
Varianti më pak i mundshëm është që edhe VMRO DPMNE të bëjë qeverinë. Matematika politike s’është që si krijon mundësi edhe kësaj partie ta krijojë qeverisjen. Në një rast të tillë do t’i duhen më shumë bashkëpunëtorë shqiptarë. Të gjithë e dinë se sa i vogël është kapaciteti koalicionues i VMRO-së, por nga ana tjetër mund të jetë për ta edhe momenti i afrimit me shqiptarët, nëse ndodhte një qeveri e tillë, sepse herëdokurdo, VMRO do të duhet ta bëjë gjestin e afrimit, ngaqë ajo e di më se pa forcën politike shqiptare nuk bën dot qeveri. Nëse ndodh, Mickovski do të dalë se do ketë forcë më të madhe argumentuese, sigurisht edhe me çmimin e kompromiseve që do bëjë, edhe përkundër gjithë presioneve që i ka brenda partisë për dorëheqje, pas rezultateve zgjedhore.
Sado që ka zëra që mbështesin edhe këtë variant me kolorit të ri qeverisës, duket vështirë të realizohet edhe për vetë tensionin që e kanë partitë shqiptare.
Por në të gjitha rastet ajo që askush nuk fut në kalkulatorin politik është baza mbi çfarë parimesh e vlerash do bëhet qeveria e re. Do kthehem sërish të reflektimet që vijnë nga njerëzit, e ata në vazhdimësi shohin mungesën e përgjegjësisë dhe sidomos veç interesat politike tek partitë dhe diskutimet për krijimin e qeverisë së re. Sa më thellë të futesh, kjo nënkupton individë pa vizion, pa dëshirë për punë, pa sens për zhvillim, pa përgjegjësi, pa turp. Njerëz që duan veç vulën e partisë ta kenë për prapa, parti e cila të jetë në qeveri, e që të realizojnë pangopësinë e tyre.
Kalkulimet dhe manovrat për qeverinë nuk habisin më askënd, ato janë të lexueshme, do bëhej dallimi nëse kësaj here përgjegjësia e pushtetit dhe ndaj qytetarëve do merrej parasysh.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)