Qeveria momentalisht nuk ka kurrfarë përgjigje nga Moska lidhur me atë nëse do të vendos ndonjë masë reciproke apo masë tjetër, si përgjigje e vendimit të autoriteteve të Maqedonisë të dëbojë diplomat rus, për shkak të rastit Skripal. “Momentalisht nuk ka asgjë të re, vendimin tonë dje e sqaruan ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe kryeministri Zoran Zaev dhe konsiderojmë se janë respektuar procedurat diplomatike dhe konform Konventës së Vjenës është vepruar ashtu siç urdhërojnë ligjet në Republikën e Maqedonisë”, deklaroi sot në konferencë shtypi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
MPJ të hënën publikoi se dëbon një diplomat rus në konsultim me aleatët e BE-së dhe të NATO-s dhe në shenjë solidariteti me Britaninë e Madhe për shkak të rastit Skripal. Shefi i diplomacisë dje tha se diplomati “ka dalë nga korniza e mandatit të tij diplomatik”, ndërsa kryeministri Zaev, theksoi se dëbimi i diplomatit nuk do të duhej të ndikojë në raportet me Moskën. Presidenti Gjorge Ivanov vlerësoi se vendimi i MPJ-së së Maqedonisë është i përshpejtuar.