Mogadishu, 1 dhjetor – Në përleshjet midis forcave të qeverisë somaleze dhe anëtarëve të milicisë al-Shabab këtë javë janë vrarë 66 njerëz, njoftoi DPA.
Në luftimet kanë vdekur 51 militantë dhe 15 ushtarë qeveritarë dhe civilë të armatosur, të cilët ishin të përfshirë në luftime, kumtoi qeveria, duke shtuar se gjashtë militantë janë kapur të gjallë.
Al-Shabab, e cila ka lidhje me al-Kaidën, i sulmon rregullisht bazat ushtarake, ndërtesat qeveritare dhe hotelet në këtë vend të shkatërruar nga lufta, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve.
Luftimet filluan dje kur militantët e al-Shabab e sulmuan zonën Badvejn, në rajonin verior Mudug.
Al-Shabab me vite lufton për të realizuar kontroll të plotë në Somali dhe tashmë ka kontroll efektiv mbi pjesët më të mëdha të jugut dhe qendrës së vendit. Unioni afrikan dhe forcat amerikane po i japin ndihmë të konsiderueshme qeverisë në luftën e saj për ta rimarrë kontrollin e territorit.
Ekziston një shqetësim nga raportet e mediave se Presidenti amerikan, Donald Tramp mund t’i tërheqë të gjitha trupat e SHBA-së nga Somalia në një përpjekje për ta zvogëluar ndjeshëm praninë ushtarake të SHBA-së jashtë vendit, para se të largohet nga detyra muajin e ardhshëm, transmeton DPA.