Shkup, 22 janar – Qeveria e solli Programin për reforma ekonomike për periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2021 në të cilin janë të përfshirë edhe 18 reforma sektoriale strukturore për rritjen e konkurrencës dhe rritjes së ekonomisë.
Nga shërbimi qeveritar për media informojnë se Programi është dokumenti i pestë i përpunuar në pajtim me orientimet nga Komisioni Evropian.
“Programi është përpunuar në harmonizim me Programin për punën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për vitin 2017-2020, Strategjinë e reviduar fiskale për periudhën e vitit 2019-2021 dhe Buxhetin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2019, si dhe dokumentet tjera kombëtare strategjike.
Gjithashtu, programi është në pajtueshmëri me Strategjinë e BE-së për zhvillim të shpejtë, të qëndrueshëm dhe gjithpërfshirës ekonomik “Evropa 2020”, theksojnë nga Qeveria.
Në seancën qeveritare është miratuar edhe informacioni për nevojën e sigurimit të mjeteve financiare për ndërtim të hekurudhës nga Kriva Pallanka deri te kufiri bullgar. Sipas informacionit, do të sigurohen mjete financiare në vlerë prej 345 milionë euro përmes Ministrisë së Financave dhe Ndërmarrjes publike Hekurudhat e Maqedonisë – infrastrukturë.