Nga Xheladin MURATI
Të gjithë luftojnë dhe vrapojnë për Qeveri. Aty e gjejnë komoditetin, leverdinë, interesin. Ajo, siç duket, shërben për transferta të fshehura, që gjithsesi duhet të jetë e pabazë. Një gjë është e sigurt, pjesëmarrja e të gjithave partive në Qeveri siguron stabilitet por pa aftësi korrektuese. Kësisoij Qeveria bëhet teatër me aktorë të ndryshëm, por nuk luan role teatrore, ajo njëherit është si një familje ku ka fëmijë të përkëdhelur dhe rebel, të pakënaqur me kryefamiljarin. Kjo gjendje i disperzon forcat e Qeverisë për vendimmarrje serioze. Thjesht, aty plas dhe sherri. Madje, sherri në Qeveri është më i rrezikshëm.
Padyshim, secila nga partitë tona shqiptare e maqedonase dëshirojnë të futen në qeveri. Qeverinë e konsiderojnë si parajsë. Të gjitha shprehin shqetësime pse nuk janë pjesë e saj. A është kjo vallë shenjë se pjesëmarrja do të siguroj se s’do të abuzohet me to apo nuk paraqesin rrezik moral për nëpërkëmbjen e tyre. Solidariteti i kryeministrit është i pranishëm, ai do numra dhe pajtime politike, ai do vota dhe jo kundërshtime. Lufta për pjesëmarrje në Qeveri, tregon interesa të shumanshme.
Rreziqet për mospjesëmarrje në Qeveri janë të larta për shtetin, për qytetarët. Në radhë të pare afirmohet një nacionalizëm i tepruar dhe i pabazë maqedonas, mandej rritja e kërcënimeve të stabilitetit të shtetit e të ngjashme. Kështu mendon opozita maqedonase, e cila gjithnjë ngjallë urrejtje dhe mllef.
Mospjesëmarrja në Qeveri nuk duhet të krijoj frikë as për partinë, as për qytetarët. Politikanët mund të frikohen për ardhmërinë e tyre. Në këtë kontekst Qeveria mund të kapërcej frikën nëse lidershipi i saj do të jetë më konsekuent, pa anime, më korrekt dhe më transparent ndaj të gjithëve. Por edhe më i vendosur, mos i zvarrit punët.
Qeveria, edhe pse e ka marrë atributin reformatore, ajo është larg reformimit cilësor të jetës e të marrëdhënieve njerëzore e shoqërore në vend. Sepse, asaj i mungon oferta e sinqertë për zhvillim. Në fakt ajo mundohet të krijojë një balance në mes kërkesave të partive politike dhe votuesve. Kjo për arsye se qytetarët janë opozitë e vërtetë e saj. Partitë bëjnë vetëm pazaret nga interesi personal. Prandaj Qeveria nuk mund të bën “boom”, siç premtoi me formatimin e saj fillestar. Asaj i nevojitet diplomaci pragmatike, sjellje e ftohtë dhe arrogante ndaj gjithë atyre që parashtrojnë kërkesa absurde, madje vetëm të iniciuara nga interesa të ngushta personale apo grupore. Këto dhe rrethanat e tjera bëjnë që Qeveria mos të jetë kohezive, kompakte, shpresëdhënëse. Kjo për arsye të populizmit.
Populistët bën premtime që s’mund t’i mbajnë. Premtimet nuk ishin në përputhje me racionalitetin dhe interesin politik apo vetanak. Prandaj, Qeveria humb besueshmërinë. Ata pretendojnë se janë reformues, por pse votuesit duhet t’u besojnë liderëve që nuk janë ndryshe nga të parët.
Ndodh edhe kjo që Qeveria synon të kujton në shenjën e pajtimit të armiqve të betuar të dikurshëm e të sotëm (Boshkovskin dhe Zaevin, Boshkovskin e Ahmetin, BDI-në dhe PDSH-në).
Mendoj se prapa vendimeve të këtilla fshihet, ndoshta, ndonjë filozofi e politikës sistemore dhe besoj se hapat e tyre janë fryt i ndonjë arsyeje apo kompromisi shtetëror, që është i domosdoshëm për praktikën e politikës ditore. Megjithatë, Qeveria është bërë nënë për dike e njerkë për tjerët.
Së fundmi mendoj se kryeminsitri duhet të jetë i përgatitur të blejë dhe blerje të shtrenjta të aktorëve politikë. Ai duhet të stërvitë lojtarë politikë, të cilët kanë një talent të jashtëzakonshëm për të bërë politikë, në mënyrë që të mbijetojnë skemën politike. Ky është një proces që zgjatë me vite. Por, më mirë ky sesa të luftosh të dekompozosh parti të vogla (ASH, BESA) ose t’i minimizosh ato për hire të qetësisë në shtëpi. Dhe krejt në fund, është talenti Zaev në tejkalimin e ndasive. Ndërsa shqiptarët vazhdojnë të debatojnë mes veti se çdo të thotë të jesh shqiptarë. Ose do i bësh shqiptarët lsdm-ista ose ata do te rebelohen, s’ka rrugë tjetër për paqen në Qeveri. (koha.mk)