Shkup, 2 tetor – Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ministri i Bujqësisë, Trajan Dimovski, zhvilluan takim me përfaqësues të Sindikatit të Pavarur të Policisë, policisë pyjore, të Burgut dhe Policisë Gjyqësore. Takimi pasoi protestën e sotme të Sindikatit të Pavarur të Policisë të cilët bllokuan rrugët e qytetit me kërkesën për rritjen e pagave për punonjësit policorë.
“Sindikati i Pavarur e ka përshëndetur gatishmërinë e Qeverisë për bisedime. Në mbledhje u shqyrtuan kërkesat e Sindikatit të Pavarur të Policisë, Policisë së Pyllit, Burgut dhe Policisë Gjyqësore rreth nivelizimit të pagave dhe kompetencave të të gjithë policëve në shtet, për pagesën e orëve shtesë, si dhe kërkesa për rritjen e pagave në Polici”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Anëtarët e Sindikatit të Pavarur të Policisë sot gjatë ditës për disa orë me disa vetura e bllokuan udhëkryqin në qendër të Shkupit, në shenjë revolti. Ata kërkuan rritjen e pagave dhe marrëveshje kolektive për të gjithë të punësuarit.