Shkup, 3 janar – Perspektiva reale dhe të qëndrueshme, me paga më të larta, punësime të reja dhe investime, paralajmërojnë për sivjet kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
Siç informuan në pres konferencë, sivjet kanë për qëllim të sjellin vendim për rritje të re të pagës minimale, por akoma nuk kanë afate konkrete dhe numra.
Sipas Zaevit vitin 2019 duhet ta shohim si vit të realizimit të rezultateve ekonomike dhe në të cilin ekonomia do të funksionojë për secilin për çka janë vendosur kushte në periudhën e kaluar.
“Buxheti në vitin 2019 është i projektuar për ta ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe konsolidimin fiskal dhe është projektuar me rritje të pritshme prej 3,2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Politika fiskale e Qeverisë për vitin 2019 është në funksion të sigurojë rritje të ekonomisë së Maqedonisë, siguri sociale dhe përshpejtimin e inkuadrimit në NATO dhe integrimet në BE. Në vitin 2019 do të vazhdojë trendi i rritjes së pagave dhe të punësimeve në sektorin privat i mbështetur me masa qeveritare me çka do të rriten të ardhurat në dispozicion në amvisëritë”, tha Zaev.
Nëse arrihet rritje prej 4 për qind në kuartalin e parë të këtij viti, theksoi, mund të realizohen projeksionet për rritjen e planifikuar ekonomike për tërë vitin.
Kryeministri potencoi se mbi 70 për qind e shfrytëzuesve të asistencës sociale do të marrin kompensim prej 11.090 denarë për dallim prej shumës paraprake prej 3.000 denarë dhe se do të vazhdojë mbështetja e investimeve vendore dhe të huaja. Në vitin që shkoi filluan 16 investime të reja të huaja, 250 kompani vendore morën mbështetje prej shtetit, ndërsa jashtë zonave industriale janë hapur 20 fabrika të reja.
Zaev paralajmëroi se gjatë këtij viti pason lëvizje serioze e investimeve kapitale, ku do të epërsojë ndërtimi i hekurudhës së Korridorit 8 pasi vitin e kaluar ishin mënjanuar të gjitha problemet, do të vazhdojë ndërtimi intensiv i rrugëve.
“Këtë vit do të hapim edhe mjaft investime me partneritete publike private dhe me koncesione në më shumë sfera, siç janë energjetika, infrastruktura, bujqësia…”, tha Zaev.
Sipas ministrit Tevdovski, ekonomia në Maqedoni u rikuperua, ndërsa sektori privat tashmë është shtytës kryesor i rritjes. Deficiti i buxhetit është 1,8 për qind e BPV-së dhe si rezultat i kësaj borxhi publik është vënë nën kontrollin dhe është ulur në 48,2 për qind në kuartalin e tretë për sivjet.
“Tashmë është projektuar rritje e pagave prej 10 për qind të mjekëve specialistë dhe pesë për qind për personelin tjetër mjekësor duke filluar nga janari. Gjithashtu pesë për qind e pagave në kopshte dhe shkolla dhe administratë me pagën e shtatorit për këtë vit. Kjo do të çojë drejt rritjes së konsumit në ekonomi që do të kontribuojë për rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik”, tha ministri i Financave.
Projeksioni për rritjen e numrit të punësuarve është 2,1 për qind dhe duhet të kontribuojë që shkalla e papunësisë të zvogëlohet nën 20 për qind.