Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar mendimin e Ministrisë së Drejtësisë që të pranohet iniciativa për interpretim autentik të nenit 11 nga Ligji për falje, të parashtruar nga deputetët Sashko Kostov dhe Dime Vellkovski.
Nga qeveria bëjnë të ditur se në mendimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se Ligji për falje u ndryshua dhe plotësua në vitin 2009, kur edhe u abrogua Neni 11, i cili përmbante mundësin e faljes pa zbatim të procedurës.
“Sipas këtij mendimi, në mars të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese abrogoi Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për falje nga viti 2009, por me abrogimin e ligjit nga viti 2009, nuk kthehet në fuqi dispozita nga Neni 11. Kjo nënkupton se Presidenti i shtetit nuk ka pasur, dhe as që ka mundësi juridike të fal pa zbatim të procedurës në bazë të atij Neni dhe sipas kësaj të gjitha aktet për falje të presidentit të shtetit të bazuara në Nenin 11 nga Ligji për falje të shpallur në Gazetën Zyrtare të Republikë së Maqedonisë me numër 20/1993, janë të paligjshme dhe të pavlefshme”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.