Shkup, 16 korrik – Janë parashikuar kritere me të cilat pritet të parandalohet nepotizmi në Agjencinë për Siguri Kombëtare. Dy komisionet që janë formuar në përputhje me ligjin për ASK-në, ai për hartimin e akteve normative dhe ai për përzgjedhjen e të punësuarve kanë rregulluar që të punësuarit në ASK të mos jenë në bashkësi martesore ose jashtëmartesore me punonjës në DSK, me të afërm familjar deri në brezin e dytë, me të afërm familjar krushqi deri në brezin e parë dhe të mos ketë interes financiar me punonjës të DSK. Këtë për Alsat e konfirmuan nga Qeveria në pyetjen se si do të pengohet nepotizmi në institucionin e ri i cili do të zëvendësojë DSK-në.
“…të mos jenë në bashkësi martesore ose jashtëmartesore me punonjës në DSK, me të afërm familjar deri në brezin e dytë, me të afërm familjar krushqi deri në brezin e parë dhe të mos ketë interes financiar me punonjës të DSK-së…
Në procesin e përzgjedhjes, Komisioni do t’u përmbahet plotësisht dispozitave të Ligjit për ASK dhe Rregullores për punë të miratuar në seancën e fundit të Komisionit dhe do të bashkëpunojë drejtpërdrejt me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.”
… thuhët më tej në përgjigjen nga Qeveria. Lidhjet e ngushta familjare janë shumë prezente mes të punësuarve aktualisht në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.
Në pyetjet e drejtuara nga Alsat nuk morëm sqarime se pse thirrja publike është hapur para miratimit të aktit të sistematizimit por vetëm informacione se procedurat janë në rrjedhë. Nuk ka sqarime as se ku ka ngecur procedura e zgjedhjes së zv.drejtorit të Agjencisë. Nga Qeveria thonë se konsultimet janë në vazhdim. Për të gjitha këto çështje që akoma janë të paqarta rreth procedurës për konsolidimin e ASK-së, pritet të diskutohet edhe në seancë qeveritare. Kryeministri Zaev diskutimin e njoftoi për ditën e sotme por kjo pikë nuk u vendos aspak në rend dite. Mbetet edhe më tej i pamiratuar akti i sistematizimit për të puënsuarit në ASK, kriteret për pozitat drejtuese dhe mënyrën e shpërndarjes së kuadrove. Akti i sistematizimit, ligjërisht, do të duhet të ishte miratuar para thirrjes publike për barjen e të punësuarve nga DSK-ja në ASK, thirrje e cila është hapur të hënën dhe do të përfundojë të premten.
Nga rreth 650 të punësuar në DSK, rreth 400 pritet të kalojnë në ASK.