Zejnulla VESELI
Shkup, 14 qershor – Pas propozimit të Qeverisë së re për kthimin e tarifës së ulët të rrymës elektrike si dhe heqjen e taksës radiodifuzive, kryeministri Zoran Zaev ditë më parë paralajmëroi edhe ndryshimin e ligjit për procedura i cili parasheh ulje të dënimeve për bizneset dhe qytetarët, shkruan gazeta KOHA. Në programin e qeverisë së re thuhet se Qeveria do ta ndryshojë politikën e dënimit dhe për bazë do ta ketë parandalimin, kështu që shërbimet inspektuese nuk do të jenë instrument për represion dhe presione politike me parazgjedhja të subjekteve juridike për kontroll, por se kontrollet do të realizohet përmes zgjedhjes se rastësishme, ose pas paraqitjes me argumente të forta. “Për eliminim ose uljen e shkallës së subjektivitetit gjatë realizmit të kontrollit inspektues, do të inkorporohet një regjistër publik i kontrolleve inspektues që i realizojnë organet dhe inspektimet shtetërore. Do të ketë së pari paralajmërim për shkeljen e bërë dhe vetëm në rast se prapë përsëritet vepra nga subjekti juridik, atëherë do të ketë dënim. Dënimet do të jenë proporcionale më të hyrat dhe madhësinë e subjekteve afariste”, thuhet ne programin qeveritar të LSDM-së. Paralajmërimin e kryeministrit Zaev sektori i biznesit privat e vlerëson si hap pozitiv që do të ndikon në parandalimin e shkeljeve. “Mendoj se çdo masë që i adresohet mbrojtjes së interesit të biznesit në përgjithësi, duhet parë si hapa konkret dhe pozitiv. Si e tillë edhe kjo masë e paralajmëruar duhet përshëndetur, me theks të veçantë qasja edukative ndaj biznesit dhe menaxhmentit të tyre, sepse pikërisht kjo formë mund të ketë më shumë efekt për parandalim të shkeljeve se sa vet dënimi i përnjëhershëm që zakonisht shkakton frustracione”, thotë Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP). Njëherit, ai thekson se masa të këtilla shkojnë në interes të përmirësimit të klimës së biznesit si dhe ngritjes së vetëdijes dhe edukimit të biznesit. “Prandaj vlerësoj që veprimet e këtilla në interes të përmirësimit të klimës së biznesit janë të rëndësishme, duhet konsideruar si të arsyeshme, por mendoj që çështja e ngritjes së vetëdijes dhe edukimit të biznesit për ndryshimet e shpeshta të legjislativës duhet të jetë e koordinuar edhe me odat ekonomike në Maqedoni, sepse pikërisht mosinformimi me ndryshimet e shpeshta ligjore, ndodhë të rezultojë si shkaktari kryesor i shumë shkeljeve që afaristët mund t’i bëjnë edhe pavetëdije”, thotë Arben Halili nga OEMVP-ja. Ndryshe, sa i përket uljes së dënimeve të qytetarëve në programit qeveritar parashihet se Qeveria do të propozojë uljen e kompensimit të përmbaruesve dhe borxhlinjve që janë raste sociale, kurse përmbarimi do jetë edhe pa pagesën e tarifës së përmbaruesve. “Do të futen edhe kufizime sipas të cilave taksat dhe shpenzimet gjyqësore nuk do të mund të jenë më të larta se 20 për qind nga kontesti, kurse kumulativi i kamatave nuk guxon të jetë më i lartë se borxhi bazë për të gjithë ata persona që kanë të hyra mujore më pak se rroga mesatare”, thuhet në Programin e Qeverisë së re. Eksperti ekonomik Nasir Selimi paralajmërimet e qeverisë së re për ndryshimet në ligjin për procedurat ku parashikohen ulje të dënimeve edhe për qytetarët në raport me nivelet ku janë aktualisht të vendosura nga qeveria e mëparshme, dukshëm do të ndikojë në edukimin e qytetarëve për të mos bërë shkelje procedurale si dhe do të disiplinon të njëjtit që në kohë të paguajnë dënimet duke u ikur kështu harxhimeve plotësuese për vonesë të pagesës së dënimeve që disa herë rezulton që vlera bazë e dënimi të bëhet për katër herë më e lartë. “Në përgjithësi është mirë që niveli i gjobave të zvogëlohet, mbasi shumica prej tyre kanë lartësi enorme. Për shembull, në komunikacion gjobat janë shume të larta, andaj edhe ka selektim ndaj shkelësve të ligjit. Zvogëlimi do të funksionon më mirë, por edhe do të kursen xhepin e qytetarëve”, thotë për KOHA Nasir Selimi, profesor e ekonomisë pranë Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara