Shkup, 3 tetor- Në pyetjen e gazetës KOHA se kur do të kemi një qasje serioze, një plan konkret për pastrimin e Listës Zgjedhore nga Qeveria e Maqedonisë, zëdhënësi Mile Boshnjakovski gjatë konferencës për shtyp tha se Qeveria është njëri segment ku duhet të adresohen problemet, ndërsa ka edhe institucionet tjera që, sipas tij, duhet të punojnë në këtë drejtim. “Ekzistojnë shumë segmente që duhet te adresohen. Disa prej tyre janë detyrë e Qeverisë, ndërsa disa detyrë e institucioneve tjera. Në Maqedoni nga viti 2002 nuk kemi regjistrim të popullsisë, por për momentin vijojnë përgatitjet në Entin Shtetëror të Statistikave për mbajtjen e regjistrimit.
Janë trashëguar më shumë probleme që duhet të adresohen dhe të zgjidhen. Jemi të vetëdijshëm të gjithë se mbi 400 mijë bashkëqytetarë tanë nuk jetojnë në Maqedoni, ndërsa të njëjtit i kemi në listën zgjedhore, dhe kjo ka komplikime në të gjitha proceset zgjedhore dhe në referendum. Komisioni Shtetëror Zgjedhor në periudhën e ardhshme ndoshta do të intervenojë në lidhje me listën zgjedhore, megjithatë, të gjitha institucionet duhet në mënyrën e duhur të adresojnë problemet dhe t’i zgjidhen”, tha Mile Boshnjakovski. Ai shtoi se Qeveria ka vullnet që të bëhet pastrimi i Listës zgjedhore, por se është çështje kohë se ku do të nisë kjo punë, pa saktësuar ndonjë afat se kur do të ndodhë kjo. (F. R)