Shkup, 6 nëntor 2018 – Informacioni për të dhëna të hapura, i propozuar nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, u miratua në seancën e sotme të 101-të të Qeverisë të Republikës së Maqedonisë.
“Të dhënat e hapura janë të dhëna të qasshme në format që përpunohen në kompjuter, që mund të përdoren lirshëm, të shpërndahen, të ridistribuohen dhe të rishfrytëzohen nga secili dhe gjithkund, për çdo qëllim”, informon shërbimi qeveritar për media.
Në pajtim me informacionin, çdo institucion, të dhënat të cilat i prodhon duhet t’i vendos në dispozicion të opinionit dhe t’i përdor secili që ka nevojë për këtë.
Qeveria e konfirmoi edhe përbërjen e grupit koordinues nëntë anëtarësh ad-hol për zhvillimin e konceptit “Një shoqëri dhe Interkulturalizëm”. Koordinator i këtij grupi është Rubin Zemon, këshilltar i posaçëm i kryeministrit për zhvillim të shoqërisë multikulturore, interkulturalizëm dhe komunikime ndërkulturore. Kryetare e grupit koordinues është ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska, ndërsa zëvendës i saj ministri i Kulturës Asaf Ademi.
Në grupin koordinues për zhvillimin e konceptit “Një shoqëri dhe interkulturalizëm ” bëjnë pjesë Aksel Ahmedovski, ministri pa dikaster për implementimin e Strategjisë për përmirësimin e gjendjes me romët, Petar Atanasov, zëvendës-ministri i Arsimit, Ilhan Rahman, drejtori i Agjencisë për realizimin e të drejtave e bashkësive, Darjan Sotirovski, drejtor i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, Jovana Trençevska, sekretare shtetërore në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Faton Ahmeti, sekretar shtetëror për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit