Vetëm te ne ndodh që partia në pushtet të krijojë komisione partiake për të kontrolluar punën e pushtetit të saj, ndërkohë që këtë kudo në botë – e bëjnë partitë opozitare nën ombrellën “Qeveri në hije”, me të cilën opozita kontrollon punën e pushtetit. Se nuk bëhet fjalë për reformë tregon emërimi i Zoran Verushevskit, ish-shef i shërbimit sekret, për kryetar i të ashtuquajturës Komisioni për politikë të brendshme
Destan JONUZI
Shkup, 20 korrik – Në seancën e fundit të Këshillit Qendror, Lidhja Social Demokrate (LSDM) ka emëruar 17 kryetar komisionesh të partisë, ndërsa ka zgjeruar listën e komisioneve edhe me Komisionin për realizimin e politikave të konceptit “Një shoqëri për të gjithë”, kryetarin e së cilit komision do ta zgjedhë në mënyrë plotësuese. Ndërkohë, në mesin e të zgjedhurve është edhe ish-kreu i shërbimit sekret, Zoran Verushevski, i cili do të drejtojë Komisionin për politik të Brendshme të LSDM-së. Ky Komision, siç raportohet, do të merret me politikën e brendshme të LSDM-së, e me këtë, edhe të Qeverisë, shkruan në numrin e sotëm gazeta KOHA.
Njohësit e zhvillimeve politike duke folur për ndryshimet e fundit në LSDM thonë se është absurde për një parti në pushtet të krijojë Qeveri në hije për të kontrolluar pushtetin e saj. Sipas tyre, qëllim i funksioneve të tilla është pikërisht kjo, por që këtë duhet ta bëjë opozita e jo pushteti. Duke folur mbi emërimet e fundit në strukturat e LSDM-së, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politik shqiptar, Shpëtim Pollozhani, ndalet në emërimin e ish-kreut të shërbimit sekret, Zoran Verushevski në krye të Komisionit për politik të brendshme. Ai duke ironizuar emërimin e tij, thotë se “me muzikantë të vjetër nuk ka muzikë të re”.
“Të gjitha partitë në vend janë duke ia bërë varrin vendit duke u dhënë funksione të lartë militantëve partiakë dhe jo kuadrove të dëshmuar, të cilët janë ngritje në karrierë dhe njerëzve me kredibilitet dhe me besueshmëri në opinion. Si mundet Verushevski dhe ata si ai të zgjojnë shpresë për një të ardhme më të mirë në opinion kur atij iu dha mundësia në të kaluarën dhe dështoi. Kuadrot e vjetra e kanë shumë vështirë ta ndërrojnë mentalitetin e vjetër. Edhe ky është një nga ‘evladët’ e tranzicionit permanent, i cili për shërbimet – atij që i lë shtatzënë, duhet të shpërblehen”, deklaroi për gazetën KOHA, Pollozhani.
Nga ana tjetër, profesori universitar Bashkim Selmani konsideron se në këtë, “të ashtuquajtur shtet, gjithçka është e mundshme”. “Kur nuk u bë shtet i së drejtës dhe sistemit funksional, për kaq dekada, nënkupton që partitë politike më tepër investojnë në parti, sesa sistemin funksional shtetëror. Në këtë prizëm, sa më shumë që bëhen përpjekje të kësaj natyre, LSDM aq më shumë e zbehë funksionalitetin institucional të shtetit. Kjo nënkupton se ata që themeluan PSP-në, ata edhe e bënë jofunksionale, ata që janë thirrur ligjërisht për funksionalitetin gjyqësor, ata e kanë rrënuar sistemin gjyqësor, ata që duhet ta luftojnë korrupsionin, janë të viktimizuar nga korrupsioni. Ata që duhet sigurojnë siguri për shtetin, janë të pasigurt në sigurinë e tyre… këto janë elementet bazë dhe standardet që nuk ka vullnet të mirëfilltë ligjvënësi për t’i vënë në funksion. Funksionimi i shtetit të së drejtës dhe plotësimi i standardeve evropiane pa të cilat Maqedonia e Veriut edhe gjatë kohë do te jetë jashtë dyerve të BE-së me fajin e saj, nënkupton shtimin e vuajtjeve të qytetarëve edhe më shumë”, deklaroi Selmani.
Ndryshe, LSDM-ja në mbledhjen e saj të fundit të Këshillit Qendror ka dalë me deklaratë për luftë të pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa nuk ka arritur t’i zgjedh nënkryetarët e partisë. Socialdemokratët kanë vendosur që nënkryetarët të zgjidhen një nga mbledhjet e ardhshme të partisë. (koha.mk)