Shkup, 17 janar – Qeveria e Republikës së Maqedonisë në kumtesën e sotme citon se pohimet e VMRO-DPMNE-së opozitare nuk janë të sakta, sepse Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk parasheh punësime plotësuese në komunat në të cilat qytetarët e komuniteteve të pakicës janë më pak se 20 për qind.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve parasheh formim të Agjencisë qendrore e cila do t’u shërbejë komunave dhe institucioneve tjera në ato vende të populluara ku shumica e qytetarëve janë maqedonas. Në ato qytete, në rast se ndonjë qytetar i bashkësisë etnike shqiptare, rome, boshnjake serbe ose ndonjë përkatësie tjetër etnike do të ketë nevojë të komunikimit dhe do të drejtohet në gjuhë tjetër, përveç asaj maqedonase, atëherë Agjencia qendrore do t’u dalë në vigjilje atyre qytetarëve dhe do ta përkthejë komunikimin për nevojat e qytetarëve të cilët drejtohen”, citohet në kumtesën e pres shërbimit qeveritar.
Kjo, siç sqarojnë nga Qeveria, do të thotë se në institucionet e komunave ku 20 për qind e qytetarëve nuk janë pjesëtarë të bashkësisë etnike me pakicë, nuk do të punësohen qytetarë plotësues nga përkatësia etnike shqiptare ose ndonjë përkatësi tjetër për plotësimin e dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë mbetet fuqishëm në qëndrimin se Ligji për përdorimin e gjuhëve është në interes të të gjithë qytetarëve dhe është në suaza të konceptit një shoqëri e barabartë për të gjithë. Me implementimin e tij do të përforcohet stabiliteti social i tërësishëm në Republikën e Maqedonisë dhe do të kontribuojë drejt përforcimit të integritetit dhe progresit ekonomik të vendit”, shtohet në kumtesë.
Qeveria, siç është cituar në kumtesë, krijon politika që e ndërtojnë Republikën e Maqedonisë si shtet qytetar të gjithë atyre që jetojnë në të: maqedonas, shqiptarë, turq, serb, vlleh, romë, boshnjakë dhe të gjitha bashkësitë tjera etnike.