Shkup, 16 tetor – Aborti me anë të tabletave do të jetë ligjërisht i lejueshëm edhe për gratë në Maqedoni. Me ndryshimet ligjore të përgatitura nga një grup ekspertësh në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërprerja e shtatzënisë mund të bëhet me medikamente dhe jo vetëm në mënyre kirurgjikale, shkruan gazeta KOHA.
Gjinekologët thonë se kjo terapi është e dobishme edhe për shkak kushteve tjera emergjente në akusheri, por deri më tani nuk ka qenë e regjistruar në Maqedoni. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një deklaratë për media tha se ka zgjidhje ligjore se si të jenë në dispozicion të mjekëve.
“Të kenë edhe një të drejtë të zgjedhjes për abort, normalisht në konsultime me gjinekolog. Do të gjejmë mënyrë se si ai medikamentet të jetë në dispozicion nëse nuk është nëpërmjet regjistrimit, atëherë ka alternativa dhe zgjidhje të tjera”, tha Filipçe.
Me ndryshimet e reja ligjore, deri në javën e 12-të të shtatzënisë, gruaja e cila dëshiron të abortojë, nuk duhet të shkojë në komisione, konsultime dhe të presë pesë ditë pune për të menduar. Këtë javë, anëtarët e komisionet duhet ti kompletojnë mendimet për abortin nga java e 12-të deri në javën e 22-të të gestacionit.
“Dëshira dhe vullneti i gruas do të jenë në vend të parë. Nuk do të ketë Komision, i cili ka vendosur deri më tani, por me kërkesat e gjinekologëve, do të ketë një lloj organi këshillues, sepse mjeku ka nevojë për një mendim të dytë”, thotë Filipçe, transmeton KOHA.
Pas javës së 22-të të shtatzënisë, do të ketë Komision të mjekëve nga fusha të ndryshme që duhet t’i tregojnë grave të gjitha dobësitë dhe përfitimet nëse fetusi është me anomali. Ministri Filipçe u shpreh se po bëjnë ligj evropian dhe liberal që është në interes të grave. Zgjidhja aktuale ligjore u miratua pesë vjet më parë pas një procedure të shkurtuar dhe nxiti reagime të ashpra në publik dhe protesta nga Organizatat jo qeveritare. (koha.mk)