Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë përfunduar takimin e sotëm ku diskutuan për mundësinë e lidhjes së një koalicioni qeveritar.
Pas një takimi gati dy orësh para medieve kanë dalë të flasin vetë Kurti dhe Osmani, të cilët konfirmuan se po presin rezultatin final të zgjedhjeve dhe se janë dakorduar për të bashkëqeverisur. Në fjalën e tij, Kurti tha se Kosova ka humbur shumë kohë dhe pasi pritjet e qytetarëve janë shumë të larta edhe kanë nisur bisedimet me idenë që të krijohet një qeveri sa më efikase.
“Synimi ynë është që t’u dalim zot nevojave të qytetareve dhe të zhvillojmë shtetin nga drejtësia. Jemi dakorduar që 30 për qind gra të jenë në qeverinë. Shumë më pak ministra e zëvendësministra. Do të vazhdojmë takimet për harmozimin e programeve. Jemi pajtuar që të qeverisim bashkë”, ka thënë Kurti. Kurse Vjosa Osmani nga LDK, tha se kanë nisur diskutimet meqë ka gatishmëri nga të dyja palët për të bashkëqeverisur.
Ajo tha se duhet pritur rezultatet finale të zgjedhjeve dhe mandej do të konkretizohet edhe koalicioni.
“Për në është me rëndësi që të presim numërimin e rezultatet finale. Ka vullnet të mirë që kjo marrëveshje të arrihet”, ka thënë mes tjerash Osmani.