Reagimet e shoqërisë civile janë zbehur shumë, respektivisht janë nën nivelin e duhur. Sipas njohësve të proceseve politike në vend, shuarja e zërit nga sektori civil është për arsye se shumica prej tyre janë rehatuar në kolltukët qeveritar. Por ka të atillë që mendojnë se, megjithatë – qeverisja e Zaevit duket të jetë më transparente se ajo e Gruevskit
Xhenur ISENI
Shkup, 6 mars – Kohët e fundit, reagimet e shoqërisë civile janë zbehur, respektivisht janë nën nivelin e duhur. Tani kritikat që shkojnë në adresë të Qeverisë, por edhe në adresë të opozitës – nuk janë nga shoqëria civile, por nga individ të cilët reagimin dhe mospajtimin e tyre me politikat e pushtetit i shprehin përmes rrjeteve sociale. Kujtojmë kur para disa viteve, kur në pushtet ishte ish-kryeministri Nikolla Gruevski, organizatat joqeveritare ishin madje pjesë e asaj që njihet “Revolucioni laraman”, i cili kishte organizuar protesta të shumta rrugëve të kryeqendrës së Maqedonisë së Veriut në mbrojtje të Prokurorisë Speciale, e cila atëherë kishte nisur hetime të shumta kundër zyrtarëve të lartë shtetëror, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Njohës të proceseve politike në vend thonë se shuarja e zërit e sektorit civil është për arsye se shumica prej tyre – tashmë janë rehatuar në kolltukët qeveritar. Berat Azizi, analist, thotë se kryeministri Zaev pasi erdhi në pushtet – shpërbleu sektorin civil i cili kishte dhënë kontribut në rënien e regjimit të ish kryeministrit Nikolla Gruevski. “Mendoj se një pjesë e mirë e sektorit civil tashmë është rehatuar në postet qeveritare dhe këtë ka arritur ta menaxhojë shumë mirë kryeministri Zaev. Opinioni në vend e ka të njohur se ishte sektori civil ishte ai që u parapriu protestave vite më parë, duke mbështetur opozitën e atëhershme të Zaevit dhe pas ardhjes në pushtet – të njëjtit u shpërblyen. Në anën tjetër, shqetësues është fakti se nuk kemi sektor civil apo reagime të duhura dhe të fuqishme nga partitë politike që janë në opozitë, e të cilat duhet në një farë mënyre të jenë zëri i qytetarëve. Pra, ka një heshtje të përgjithshme të sektorit civil në vend dhe e gjithë kjo vjen si rezultat i humbjes së besimit tek masa. Mendoj se do të jetë pothuajse e pamundur të kemi sektor civil të fuqishëm për shumë arsye të ndryshme”, ka deklaruar për KOHA, Berat Azizi, ndërsa shton se financimi i sektorit civil është një ndër shkaqet që zëri kritik mungon sidomos kur financimi bëhet nga pushteti.
Edhe Faton Aliti, shprehet se sektori civil – për dallim nga vitet e kaluara, tashmë është shumë pasiv në kritikat ndaj Qeverisë, por megjithatë nuk beson se në heshtjen e tyre ka gisht Qeveria. “Pajtohem se sektori civil është disi më pasiv me kritikat ndaj qeverisjes krahasuar me vitet 2015-2017, por nuk mund të them se kjo është rezultat i ndonjë marrëveshjeje me qeverinë. Ndoshta ka të bëjë me faktin se kjo qeveri, me gjithë të metat e veta, është shumë më transparente krahasuar me qeverinë e Gruevskit”, ka deklaruar për KOHA, analisti Faton Aliti.
Kjo qeveri për dallim nga e kaluara, lejon të jetë e kritikuar nga opinioni, por korrigjimet që më pas i bën, janë minimale në përjashtim të disa rasteve. LSDM ishte ajo që bashkë me sektorin civil ka kritikuar më së shumti projektin e Qeverisë së kaluar “Shkupi 2014”. Gjendja faktike mbetet e njëjtë edhe pse paralajmërimet e LSDM-së, kur erdhi në pushtet, ishin se do ta korrigjoj këtë projekt i cili gati arriti një miliard euro. Gjatë viteve të kaluara kemi pasur shumë shembuj në të cilën Qeveria është tërhequr nga disa hapa të saj pas reagimeve nga opinioni, por edhe nga disa organizata joqeveritare. Kujtojmë rastet kur Qeveria mori vendim që shteti ta financojë ndryshimin e gjinisë, por një ditë pas vendimit, Ministria e Shëndetësisë kumtoi se është një ngarkesë financiare për Fondin dhe e njëjta u anulua. Gjithashtu rasti kur në Parlament u dorëzuan propozimet për ndryshimin e Ligjit për tregti, me të cilët tezgaxhinjtë do të duhej të nxirrnin licenca, por pas reagimeve të shumta nga sektori civil, propozim-ligji u tërhoq. (koha.mk)