Shkup, 8 janar – Kuvendi pasdite në seancë e miratoi Ligjin për garanci të Republikës së Maqedonisë në obligimet sipas Marrëveshjes për hua për financimin e furnizimit të autobusëve që do të lidhet midis BERZH-it dhe NQP “Shkup”, me të cilën mundësohet që Ndërmarrja Qarkulluese Publike “Shkup” të furnizojë autobusë të rinj me dysheme të ulët. Me huan nga BERZH-i sigurohen 10 milionë euro, ndërsa në furnizimin me 2 milionë euro mjete vetanake do të marrë pjesë NQP-ja.
Për 10 milionë eurot nga BERZH-i huamarrës do të jetë NQP, Qyteti i Shkupit do të lëshojë garanci komunale, ndërsa Republika e Maqedonisë do të lëshojë garanci shtetërore. Afati për shlyerjen e huas është 10 vjet, me periudhë-grejs të përfshirë prej tre vjet. Norma e interesit është e ndryshueshme dhe është EURIBOR gjashtëmujor të rritur për diferencë prej një për qind.
Ministri i Financave Dragan Tevdovski bëri të ditur se ligji është pjesë e programit të Qeverisë për qarkullim dhe parashikon promovim të përdorimit të karburanteve të gazit të llojit gaz natyror dhe propan butan, ndërsa qëllimi është që të stimulohet qarkullimi publik dhe i organizuar në Shkup.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare para miratimit të ligjit bënë të ditur se do të votojnë për të sepse konsiderojnë se qarkullim publik cilësor u nevojitet qytetarëve të Shkupit, por tha se Qeveria duhet të bëjë kujdes të barabartë edhe për banorët jashtë Shkupit dhe të furnizojë autobusë të rinj veçanërisht për qytetet më të mëdha me ndotje më të madhe.