Qeveria japoneze jep alarmin: Olimpiada në dyshim

21

Ministri i Reformës Administrative dhe Normave në qeverinë japoneze, Taro Kono, ka lëshuar sot alarmin në lidhje me Lojërat Olimpike “Tokio 2020” që do të zhvillohen këtë verë në Japoni. Ai ka pranuar se gjendja e emergjencës që është shpallur në Tokio mund të vërë në dyshim Olimpiadën edhe pse duhen ende 6 muaj nga fillimi i saj.

“Me Olimpiadën nuk ka asnjë siguri. Gjithçka mund të ndodhë”, tha Taro Kono, që bëhet funksionari i parë i lartë i qeverisë japoneze që lëshon alarmin në lidhje me Lojërat Olimpike. Ato ishin planifikuar të organizoheshin verën e shkuar, por u shtynë për shkak të pandemisë Covid-19.

Aktualisht, në Japoni, 11 rajone, përfshi edhe Osaka e Kyoto, kanë mbyllur kufijtë. “Ne po përgatitemi maksimalisht, por komiteti organizator i këtij eventi dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar duhet të mendojnë edhe për alternativa të tjera. Mendoj se brenda marsit duhet marrë një vendim”, tha ministri japonez.