Qeveria italiane sot premtoi se do t’u ndihmojë qytetarëve t’i paguajnë fakturat për energji elektirke dhe gaz deri në fund të vitit, duke iu bashkangjitur vendeve evropiane të cilat bëjnë përpjekje për ta zvogëluar barrën e rritjes së çmimeve të energjisë.
“Disa faktura për gaz nuk duhet të paguhen në kuartalin e fundit të këtij viti”, deklaroi kryeministri Mario Dragi, ndërsa Qeveria do të shlyejë edhe një pjesë të fakturave për energji elektrike për familjet dhe ndërmarrjet e vogla.
Qytetarët me të ardhura të ulëta do të marrin shuma më të mëdha për vauçerë për shpenzimet e energjisë elektrike, theksoi Dragi në fjalimin e tij në tubimin e asociacioneve industriale italiane.
Ai theksoi se pakoja e masave për mbështetje do t’i kushtojë shtetit më shumë se tre miliard euro.
“Pa intervenim politik, çmimet e gazit do të rriten edhe për 30 për qind, ndërsa çmimi i energjisë elektrike madje për 40 për qind deri në fund të vitit”, theksoi kryeministri italian.
Dragi shtoi se Qeveria nuk do t’i rrisë tatimet. “Në këtë fazë paratë nuk mblidhen, por shpërndahen”, tha ai.
Qeveria pret që ekonomia të vazhdojë të rimëkëmbet nga pasojat e pandemisë së Kovid-19, pjesërisht duke u mbështetur në miliarda euro nga fondi i BE-së.